Përgatiti: Festim Rizanaj
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, konflikti Izrael-Hamas dhe raste tragjike (vdekje, vrasje) janë temat kryesore për të cilat u keqinformua gjatë muajit mars 2024.
Në bazë të monitorimit dhe gjetjeve të përmbajtjet keqinformuese të trajtuara gjatë muajit prill del se janë publikuar më së shumti përmbajtje keqinformuese në fushën e sociales. Pas keqinformatave nga fusha sociale, përmbajtjet keqinformuese nga fusha e sigurisë dhe politikës janë përdor më së shumti për të keqinformuar.
Si rezultat i gjetjes dhe trajtimit të 68 përmbajtjeve keqinformuese të publikuara në media reale, media sociale dhe portale të dyshimta, dezinformatat kanë dominuar ekosferën keqinformuese, duke u pasuar nga përmbajtjet e paverifikuara dhe mashtrimet.
Në mesin e katër keqinformatave ku janë përfolur institucionet, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është institucioni më i përfolur, duke u përmendur në dy teori konspirative lidhur me incidente në vendbanime me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është figura më e përfolur në kontekst me personalitete tjera, si ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ish- nënkryetar i Listës Serbe dhe njëherit pjesë e listës së zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, Milan Radjoçiq, presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, në 28 përmbajtje keqinformuese ku janë përfolur personalitetet.
Këto të dhëna, dolën nga raporti monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin shkurt të vitit 2024 tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info. Raporti është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endowment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.
Gjatë muajit prill janë gjetur dhe trajtuar 68 përmbajtje keqinformuese, ku është evidentuar se dezinformatat kanë qenë kategoria kryesore e keqinformimit, me 25% të të gjitha përmbajtjeve keqinformuese. Kjo për faktin se që gjatë këtij muaji, keqinformacioni nuk është përqendruar në një temë specifike që ka marrë përqendrimin kryesor, por disa përmbajtje keqinformuese me tematikë politike dhe të sigurisë janë vlerësuar si dezinformatë. Kjo kategori pasohet, nga përmbajtjet e paverifikuara me 22%, ndërsa mashtrimi është radhitur me 15%.
Si rezultat i sulmit me dronë në mesnatën e 13 prillit nga ana Iranit drejt Izraelit, ka ndikuar që të mbizotërojnë video të paverifikuara të publikuara nga faqet të ndryshme në mediat sociale lidhur me këtë temë. Publikimi i këtyre videove nga zhvillime tjera me pretendimin se paraqesin momente nga sulmi i Iranit drejt Izraelit, tregon se këto zhvillime ndërkombëtare me peshë përdoren për të keqinformuar nga faqe dhe llogari që gjenerojnë përmbajtje në gjuhën shqipe në media sociale. Përderisa, konflikti Izrael-Hamas po vazhdon, kjo temë ka vazhduar të përdoret për të keqinformuar nga faqe në Facebook edhe gjatë muajit prill. Gjatë prillit u publikuan edhe përmbajtje të koduara si raste tragjike për të cilat nuk bëhet e ditur në titull vendndodhja e ngjarjes. Krahas këtyre përmbajtjeve janë publikuar edhe përmbajtje mashtruese me pretendime të rreme për dhënie kredish dhe produkte që shërojnë sëmundje të caktuara.
Publikimi i keqinformatave në një gamë të gjerë temash sociale si çmimi i bukës, pensionet, dhënia e kredive, emigrimi, produkte shëruese, sigurimi shëndetësor etj., ka bërë që kjo fushë të prijë gjatë muajit prill me 29%. Pjesa e konsiderueshme nga fusha sociale janë vlerësuar si mashtrim (9%), përmbajtje e paverifikuar (6%), clickbait (4%) dhe dezinformatë (4%). Për shkak se temat si, sulmi i Iranit ndaj Izraelit, zhvillimet në veri dhe vendbanimet me shumicë serbe, kërcënimi i ISIS dhe të tema të tjera për të cilat u keqinformuar janë nga fusha e sigurisë ka ndikuar që kjo fushë të radhitet si e dyta me 28%. Shumësia e përmbajtjeve keqinformuese nga kjo fushë janë vlerësuar si dezinformatë (10%), përmbajtje e paverifikuar (9%) dhe teori konspirative (4%). Temat të ndryshme ndërlidhur me politikën si, anëtarësimi i Kosovës në KiE, Kosova dhe BE, Këshilli i Sigurimit, e tema të tjera janë përdorur për të keqinformuar gjatë muajit prill, duke bërë që kjo fushë të radhitet si e treta më 26%. Këto përmbajtje keqinformuese nga fusha politike janë vlerësuar si, dezinformatë (9%), mashtrim (6%), lajm i rremë (4%) etj.
Bazuar në gjetjet dhe trajtimet e përmbajtjeve keqinformuese, vërehet një rritje prej 5% të keqinformacioneve të publikuara në media sociale krahasuar me muajin mars (nga 61% në mars 2024, në 66% në muajin prill 2024). Kjo mund të shpjegohet nga fakti se pothuajse të gjitha dezinformatat, një pjesë e konsiderueshme e përmbajtjeve të paverifikuara, dhe të gjitha përmbajtjet mashtruese dhe lajmet e rreme janë publikuar në media sociale. Gjatë muajit prill, 77% e përmbajtjeve keqinformuese në mediat sociale janë publikuar në Facebook, ndërsa 23% në TikTok.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është figura më e përfolur (në 4 keqinformata) në kontekst me personalitete tjera, në 28 përmbajtje keqinformuese ku janë përfolur personalitetet. Ai u përfol së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, ku nëpërmjet videove të manipuluara pretendohet se Thaçi dhe Molliqaj thonë fjalë vlerësuese për Kurtin. Po ashtu, Kurti u përfol së bashku me Milan Radojçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe njëheritë pjesë e listës së zezë të SHBA-s dhe Britanisë së Madhe, ku u publikua përmbajtja e vjetër e kërcënimit të Radojçiqit ndaj Kurtit, si aktuale. Gjithashtu, Kurti u përfol edhe së bashku me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, dhe presidenten, Vjosa Osmani, në lidhje me deklarimin e pasurisë, duke raportuar gabimisht se Konjufca ka 100 mijë herë më shumë para në banka se Kurti dhe Osmani.
Në kuadër të kontrollit të deklaratave dhe premtimeve është trajtuar njoftimi për ardhjen e biçikletave të qytetit në Prishtinë, bërë më 5 dhjetor të vitit 2023, nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, në llogarinë e tij në Facebook. Në këtë njoftim, Zogaj kishte paralajmëruar montimin e stacioneve gjatë javëve në vijim, kurse sipas të njëjtit, biçikletat do të jenë të gatshme për përdorim, në pranverë. Pas kontrollit nga hibrid.info, është vërtetuar se që nga ardhja e biçikletave, nuk është parë ende asnjë rezultat konkret, që i bën ato në dispozicion për shfrytëzim nga qytetarët.