Shkroi: Fatbardh Dema
Ndeshja e Shqipërisë kundër Italisë në kuadër të Euro2024, e zhvilluar më 15 qershor, përfundoi me fitoren e kësaj të fundit me rezultat 2-1.
Megjithatë, një moment nga kjo ndeshje u komentua shumë.
Ishte momenti kur Italia shënoi golin e dytë, dhe kur u pa mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj duke e ulur kokën teksa topi po i vinte në drejtim të tij nga gjuajtja e Nicolo Barellas së Italisë.
Për këtë rast, Hysaj ka kërkuar falje. (këtu)
Mirëpo, një video-material po qarkullon nëpër media sociale ku po pretendohet se futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asani dhe Ylber Ramadani, janë tallur me bashkëlojtarin e tyre, Elseid Hysaj.
Ky video-material, ku shihen Asani me Ramadani duke qeshur mes vete, u publikua dje (18 qershor) nga faqja “Gazetavip.com” në Facebook me mbishkrimin “#JasirAsani dhe #Ramadani tallen me bashkëlojtarin e tyre #ElseidHysaj për uljen e kokës ndaj #Italisë”.
Por, cila është e vërteta?
Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pamjet janë marrë nga seanca stërvitore e Kombëtares së Shqipërisë e datës 17 qershor.
Përveç që këta dy lojtarë shihen duke biseduar e qeshur mes vete, nuk ka asnjë fakt që të njëjtit janë tallur me Hysajn për veprimin që ai bëri gjatë ndeshjes ndaj Italisë, ku në rastin e golin të dytë të italianëve, kishte ulur kokën. (shih këtu)
Vegëza e video-materialit të publikuar nga faqja “Gazetavip.com”:
https://www.facebook.com/gazetavip24/videos/1767869834028477
Hibrid.info ka arritur të gjejë video-materialin e njëjtë të publikuar në kanalin zyrtar të televizionit Klan Kosova në Youtube, ku qartësohet se pamjet paraqesin seancën stërvitore të Kombëtares së Shqipërisë pas ndeshjes ndaj Italisë. (shih këtu)
Në këtë material, gazetari i sportit Arlind Sadiku kishte dhënë informacione rreth seancës stërvitore dhe gjendjes fizike të lojtarëve. Pra, nuk ka fakte që Asani dhe Ramadani janë tallur me Hysajn, siç pretendohet nga faqja “Gazetavip.com”.
Analiza:
Përmes një video-materiali të realizuar nga seanca stërvitore e Shqipërisë pas ndeshjes ndaj Italisë, pretendohet pa asnjë fakt se Asani dhe Ramadani, janë tallur me Hysajn, pasi ky i fundit kishte ulur kokën gjatë rastit të golit të dytë të Italisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruar. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.