Shkroi: Fatbardh Dema
Publikimi i një përmbajtjeje të paverifikuar ka çuar në keqinformim ditëve të fundit. “Kush është i besuari i Biden që do të emërohet ‘emisar special për njohjen e Kosovës’” ishte titulli i një artikulli të publikuar nga mediumi në gjuhën shqipe “euronews.al” të hënën (3 qershor) që më pas u citua nga mediume të tjera në gjuhën shqipe.
Pjesë nga ky artikull:
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara (SHBA), Joe Biden, duhet të emërojë një ‘emisar special për njohjen e Kosovës’ nga pesëshja e Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro. Biden propozoi Edward Joseph në këtë pozicion, ligjërues në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin ‘Johns Hopkins’ në Uashington, në një raport të fundit. Joseph, në pjesën kushtuar rolit të SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, propozoi gjithashtu se paralelisht me emërimin e një të dërguari të posaçëm për njohjen e Kosovës, administrata e Bidenit duhet t’i sanksionojë liderët në Shqipëri dhe Kosovë që promovojnë ndonjë ‘unifikim’ të këtyre dy vendeve të pavarura”.
Vegëza e publikimit të “euronews.al”:
Riaktualizimi dhe mosverifikimi
Duke rishpërndarë një postim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për avancimin e statusit të Kosovës në anëtare të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, profesori amerikan Edward Joseph më 27 maj ripublikoi në X (ish-Twitter) raportin me titull “Nga kriza në konvergjenca: Një strategji për ta tejkaluar paqëndrueshmërinë në Ballkan, në themel”.
Raporti qysh në faqen e parë tregon se daton nga 18 janari 2022. Profesori Edward Joseph ishte autori kryesor. Raporti ishte publikuar nga forumi “Wilson Center” dhe “Foreign Policy Institute at Johns Hopkins SAIS”. (shih këtu)
Përmes platformës “Wayback Machine” që shërben për të ruajtur versionet e vjetra të uebfaqeve, mund të konfirmohet se raporti daton pikërisht nga 18 janari 2022.
Përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka arritur të gjejë lajme të ditëve paraprake që ndërlidhin emrin e Edward Josephit me emisar special të SHBA-ve për çështjen e njohjes së Kosovës (shih këtu)
Dezinformimi
Titulli i artikullit të “euronews.al” dhe hyrja e tij kanë nxitur dezinformimin e publikut. Titulli “Kush është i besuari i Biden që do të emërohet ‘emisar special për njohjen e Kosovës’” e paraqet si punë të kryer se SHBA-të do të dërgojnë emisar special për çështjen në fjalë. Në fillim ky artikull nis me fjalinë që SHBA-të duhet ta emërojnë një emisar, e më pas në fjalinë e dytë thuhet se “Biden propozoi Edward Joseph në këtë pozicion”. Artikulli i referohet “një raporti të fundit”.
Vetë artikulli vazhdon me propozimin e Josephit e madje e përdor edhe një pjesë të raportit të vitit 2022.
“’Administrata e Bidenit mund të nxisë ofertën për konvergjencë nëpërmjet emërimit të njëkohshëm të një të dërguari të ri të posaçëm kushtuar njohjes së Kosovës, paralelisht me shpalljen e sanksioneve të SHBA-së për liderët në Shqipëri apo Kosovë që promovojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë’, shkroi Joseph mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në vazhdim të artikullit të “euronews.al”. Ky citat është nxjerrë nga faqja 65 e raportit.
Në këtë pjesë të raportit, flitet për propozimin që ekspertët, me në krye Edward Josephin e japin në pikën “Hapat unilateralë nga Administrata Biden: Një ‘i dërguar special për njohjen e Kosovës’ dhe sanksione për ‘bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë’”.
Shpërndarja në media tjera
Artikulli i publikuar në “euronews.al” del të jetë deformimi i një përmbajtjeje të publikuar paraprakisht nga “albanianpost.com”, që mban datën 2 qershor. Teksa “albanianpost.com” ka raportuar se ky ka qenë propozim i Josephit, “euronews.al” ka shkruar se “Biden propozoi Edward Joseph në këtë pozicion”. Pa kryer verifikim në vete, dhjetëra mediume në gjuhën shqipe kanë publikuar përmbajtjen e njëjtë me atë të “euronews.al” që rezulton të jetë keqinformim.
Disa publikime shihet se edhe janë fshirë. (shih këtu dhe këtu)
Pati mediume që e shpërndanë si punë të kryer çështjen e emërimit të një emisari special për njohjen e Kosovës. Ndërsa pati edhe të tilla që iu referuan propozimit të Josephit se SHBA-të duhet ta emërojnë një emisar special.
Mediumet që keqinformuan përmes titujve për caktimin e një emisari special të SHBA-ve për çështjen e njohjes së Kosovës: kosovapress.com, indeksonline.net, syri-vision.tv, syri.net, gazetablic.com.
Mediumet që raportuan për propozimin e Josephit, duke mos cekur se bëhet fjalë për një raport të publikuar në janar të vitit 2022: tv21.tv, telegrafi.com, radiokosovaelire.com, argumentum.al, gazetainfokus.com, orainfo.net, botasot.info, periskopi.com, gazetaexpress.com, zeri.info.
Disa mediume fokusin e artikullit e orientuan në pjesën ku propozohet në raport që liderët e Kosovës dhe Shqipërisë, që kërkojnë bashkim kombëtar, të sanksionohen: gazetablic.com, periskopi.com.
Pas raportimit në mediumet në gjuhën shqipe, lajmi ka qarkulluar edhe në disa mediume në gjuhën serbe duke iu referuar mediave në gjuhën shqipe: 021.rs, vesti-online.com, kosovo-online.com.
E më 4 qershor, Radio Kosova transmetoi një temë në të cilën e konstatoi se Biden e ka propozuar Josephin për t’u emëruar emisar special për njohjen e Kosovës nga vendet e Bashkimit Evropian. Për këtë publikim, më pas Radio Kosova ka kërkuar falje për mosverifikim të lajmit (shih këtu). Tema e Radio Kosovës u transmetua edhe në mediume të tjera: indeksonline.net, voal.ch, kosova.info.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i ka vlerësuar këto përmbajtje si “Përmbajtje e pa verifikuar” dhe “Dezinformata”. (Shih këtu)