[email protected]
Premtim i pambajtur për 160 çerdhe të reja
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

160 çerdhe të reja në të gjithë vendin, kishte premtuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV), gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, në vitin 2021.

Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga LVV, në hapjen e fushatës së këtij subjekti (2 shkurt), kishte shpalosur programin qeverisës dhe listën e kandidatëve për deputetë, ku në mesin zotimeve kishte përmendur edhe këtë për çerdhe të reja.

Subjekti të cilin e udhëheq Kurti, kishte dalë fitues nga këto zgjedhje, duke formuar edhe qeverinë.

Por, sa është realizuar ky premtim?

Qeveria e drejtuar nga Kurti është në vitin e katërt të mandatit. Hibrid.info ka kontrolluar dhe ka gjetur numrin e çerdheve që kanë nisur të ndërtohen brenda kësaj periudhe.

Analiza:

Hibrid.info ka gjetur video-materialin e hapjes së fushatës së LVV-së, për zgjedhjet e 14 shkurtit. Në videon e publikuar në profilin e kryeministrit Kurti në Facebook, paraqitet ky i fundit teksa prezanton pikat e programit zgjedhor të këtij subjekti, në mesin e të cilave, nga minuta e 25-të, përmendet edhe shtimi i 160 çerdheve të reja (shih këtu).

Programin e kësaj fushate, Kurti ishte përkujdesur ta paraqiste në formë të shkruar, bashkangjitur këtij postimi, ku si pikë e tetë përmendet edhe ndërtimi i çerdheve.

Deklarata e Kurtit nga video-materiali:

“Do të kujdesem që për fëmijët tuaj të krijojmë vende të mjaftueshme në çerdhe duke i shtuar dhe 160 çerdhe në të gjithë vendin dhe të kemi shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Kjo e kombinuar me arsimimin cilësor, bursa studimore dhe kurrikula që janë në hap me kërkesat e ekonomisë do ta transformojnë sistemin tonë të edukimit. Duke i ditur kushtet dhe vështirësitë e mijëra familjeve e qytetarëve tanë për ta regjistruar në emër të tyre pronën e trashëguar, do të hiqen të gjitha pagesat dhe do të thjeshtohen procedurat për regjistrimin e pronës. Ne do të bëjmë edhe rishikimin e tarifave për shërbimet kadastrale dhe ato noteriale sa i përket regjistrimit të pronës së paluajtshme.”


Ndërtimi i çerdheve të reja, por pa përmendur shifra, ishte bërë pjesë edhe e programit qeverisës të miratuar në Kuvendin e Kosovës, pasi LVV kishte marrë shumicën për të qeverisur me vendin (shih këtu).

Por, i njëjti premtim ishte përsëritur në qershor të vitit 2021, gjatë një përurimi të një çerdhe publike, nga kryeministri Kurti (shih këtu).


Hibrid.info ka gjetur se në bazë të një deklarate të Arbërie Nagavci, ministres së Arsimit, Shkencave dhe Teknologjisë (MASHT), janë ndërtuar katër çerdhe të reja deri më 20 mars 2024, kur edhe ishte publikuar intervista e saj në televizionin “KohaVision” (shih këtu).

Deklarata e ministres Nagavci shkëputur nga intervista:

“Ne e kemi programin qeverisës që ka qenë udhërrëfyesi ynë dhe po punojmë që ta përmbushim në tërësi. Nëse i referohemi situatës me ndërtimin e çerdheve të reja, nëse e shohim në përqindje, çerdhet e reja gjatë periudhës trevjeçare të qeverisjes janë për 850 për qind më shumë sesa që janë realizuar gjatë periudhës 2003-2020. Janë në proces, janë finalizuar katër çerdhe, kemi 18 çerdhe që janë në proces të ndërtimit, janë pesë çerdhe që janë adaptuar, pra objekte ekzistuese që i kemi adaptuar për çerdhe. Janë 20 në proces sepse edhe dy janë tenderuar tashmë dhe nëntë objekte që janë në proces të adaptimit. Një gjë është e rëndësishme, për të ndërtuar ne si nivel qendror çerdhe, duhet të kemi kërkesën nga komuna bashkë me lejen dhe planin urbanistik”

Më pak se një muaj më vonë në një deklaratë tjetër publike, Nagavci kishte përmendur edhe komunat se ku janë ndërtuar këto katër çerdhe (shih këtu), gjë e cila konfirmohet edhe nga një artikull informativ i publikuar në mediumin “koha.net” (shih këtu).

Deklarata e Nagavcit mbi çerdhet e ndërtuara:

“Për 2 vjet qeverisje, kemi ndërtuar 4 çerdhe, një në Prizren, një në Istog, që janë ndërtime të reja. Një në Zhegër të Gjilanit kemi adaptuar një shkollë në çerdhe dhe po ashtu në Viti. Pas përfundimit të këtyre çerdheve i kemi në proces 19 objekte për çerdhe, prej tyre janë 14 të reja, në Istog, Klinë, Suharekë, Komoran, Gllogoc, Prizren, Ferizaj, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan. Po ashtu jemi në proces te adaptimit të pesë shkollave në çerdhe”.


Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka verifikuar çerdhet e ndërtuara në tri raste (këtu, këtu dhe këtu), me përjashtim të Istogut, për të cilën me gjithë kërkimin, nuk janë gjetur dëshmi të finalizimit të saj.


Përveç kësaj, hibrid.info është interesuar edhe për çerdhet e reja, të cilat kanë nisur të ndërtohen gjatë mandatit të fundit qeverisës.

Edhe pse ministrja e Arsimit në disa raste ka përmendur çerdhet që kanë nisur dhe janë në proces të ndërtimit, hibrid.info ka gjetur se në bazë të njoftimeve publike, të gjetura me anë të makinave të kërkimit, institucioni që e drejton Nagavci ka filluar të ndërtojë 11 çerdhe të reja (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu).

Hibrid.info nuk ka gjetur të dhëna të sakta marrë mbi numrin e objekteve të adaptuara në çerdhe, të cilat i ka theksuar edhe ministrja Nagavci në disa raste.


Përfundimi:

Numri i 160 çerdheve të cilat ishin premtuar në fillim të mandatit, nga Lëvizja Vetëvendosje, për më shumë se tre vjet e gjysmë, nuk është përmbushur.

Bazuar në deklaratat e ministres së Arsimit mbi numrin e çerdheve të reja të ndërtuara, të cilat janë verifikuar nga hibrid.info si dhe ato objekte që janë adaptuar në çerdhe, vlerësohet se ky premtim nuk është realizuar plotësisht.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson mos përfundimin e 160 çerdheve, si mbajte e pjesshme e premtimit.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajte e premtimit (nëse ai mbahet), mbajte e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).

Share With Others

Translate »