[email protected]
Pretendim i pa bazë se “narko bandat shqiptare” po djegin automjetet në Suedi
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Një video-material i publikuar në platformën X (ish-Twitter) paraqet disa persona në një parking automjetesh në Suedi duke iu vënë zjarrin disave prej tyre. Në përshkrimin e kësaj videoje pretendohet se të dyshuarit janë shqiptarë.

Kjo video me këtë pretendim u publikua dje (26 gusht) nga llogaria “VukFeNix”.

E vërteta?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo ngjarje është e vjetër (2018) dhe se personat që kanë kryer atë akt, nuk janë identifikuar në bazë të kombësisë, por vetëm si banorë të Suedisë.

Vegëza e përmbajtjes së publikuar në X (ish-Twitter) nga llogaria “VukFeNix”:


Përshkrimi origjinal i video-materialit (anglisht)

In Sweden, albanian narco cartel thugs firebomb parked cars. The albanian mafia and their street thugs are out of control.

Përkthimi në shqip

Në Suedi, banditët shqiptarë të narkokartelit hedhin bomba në makinat e parkuara. Mafia shqiptare dhe banditët e tyre të rrugës kanë dalë jashtë kontrollit.


Çka gjeti hibrid.info?

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se kjo ngjarje ka ndodhur në qytetin Goteborg të Suedisë në gusht 2018.

Në artikullin e publikuar (14 gusht 2018) nga mediumi “Euronews” në shërbimin në gjuhën spanjolle, është raportuar për këtë rast. Por, në përmbajtje nuk përmendet kombësia e personave që kanë kryer këtë akt. (shih këtu)

Gjithashtu, në fund të këtij artikulli të “Euronews” shkruan: “Shumë analistë e lidhin këtë episod me afërsinë e zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shtatorit”.


Analiza:

Përmes një video-materiali të publikuar dje (26 gusht) u pretendua se një grup shqiptarësh kanë djegur disa automjete në Goteborg të Suedisë.

Hibrid.info ka vërtetuar se ngjarja ka ndodhur në vitin 2018 dhe se kryerësit e kësaj vepre nuk janë identifikuar në bazë të kombësisë, por janë cilësuar si qytetarë suedezë. Gjithashtu, në artikullin e publikuar në “Euronews”, thuhet se shumë analistë e kanë lidhur këtë ngjarje me afërsinë e zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shtatorit 2018 në Suedi.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e bërë në X (ish-Twitter) si “Manipulim i fakteve” e “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »
1406