info@hibrid.info
Pretendim i rremë se agjencia turke e inteligjencës është angazhuar për parandalim të ndonjë lloj sulmi terrorist në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një postimi në Facebook pretendohet se duke u bazuar në burime zyrtare, Qeveria e Turqisë ka marrë përsipër që deri më 9 shkurt 2025, do të parandalojë çdo lloj sulmi terrorist në Kosovë.

Në këtë përmbajtje, thuhet edhe që ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka deklaruar se agjencia turke e inteligjencës turke, do të angazhohet që ta mbrojë Kosovën nga çdo lloj kërcënimi.

Ky postim u publikua më 6 dhjetor nga faqja “Lajme Nga Bota”.

Çka gjeti hibrid.info?

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga ministri i Jashtëm turk në lidhje me këtë pretendim.


Hera e fundit që Fidan ka folur për Kosovën, ishte muaji shtator të këtij viti, atëkohë kur ministri turk ishte për vizitë në Kosovë, ku u takua me ministren e zëvendëskryeministren e Kosovës dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz.

Çka u tha në komunikatën e lëshuar nga ministria e Jashtme turke?

Ne i shohim sigurinë, politikën dhe ekonominë si tri shtyllat e bashkëpunimit tonë. Dialogu ynë politik tashmë është në një nivel të shkëlqyer. Duke përfituar nga kjo, ne duam t’i trajtojmë çështjet tona të sigurisë me një qasje afatgjatë dhe t’i vendosim ato brenda një kuadri institucional. Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit të sigurisë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës do të jetë hapi i parë drejt kësaj.

Nga ana tjetër do të forcojmë edhe bashkëpunimin tonë ekonomik. Ne synojmë të rrisim vëllimin tonë tregtar në 1 miliard euro në periudhën e ardhshme.

Investimet e kompanive turke në Kosovë kanë arritur në 500 milionë euro. Kompanitë tona ofrojnë punësim për rreth 10 mijë vëllezër kosovarë. Megjithatë, siç e dini, këto shifra nuk i mjaftojnë kurrë Presidentit tonë, ai dëshiron që ne të investojmë më shumë, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare, në fushën e punësimit dhe investimeve. Kompanitë tona duan të rrisin investimet e tyre këtu, ka disa probleme që hasin kompanitë tona këtu, unë ia kam përcjellë ministrit pritshmëritë tona për këto çështje.

Si Turqi, ne i kushtojmë rëndësi të madhe që Republika e pavarur dhe sovrane e Kosovës të qëndrojë në këmbët e veta. Ne e kemi mbështetur Kosovën që nga fillimi për të arritur pozitën që meriton në arenën ndërkombëtare. Përfitoj nga rasti për të theksuar edhe një herë se mbështetja jonë do të vazhdojë gjithmonë. Sigurimi i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë është gjithashtu i një rëndësie të madhe në drejtim të vendosjes së paqes dhe stabilitetit të përhershëm në të gjithë Ballkanin. (shih këtu)


Ndërsa reagimi i fundit për Kosovën nga Ministria e Jashtme e Turqisë ishte në lidhje me shpërthimin e 29 nëntorit në kanalin “Ibër-Lepenc” në Zubin Potok.

Dënojmë ashpër sulmin e kryer dje (29 nëntor) në kanalin e ujit në Zubin Potok në veri të Kosovës, i cili është kritik për furnizimin me ujë dhe energji elektrike të Kosovës. Shpresojmë që ata që kryen sulmin të identifikohen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë.

Me këtë rast deklarojmë se qëndrojmë në krah të Kosovës dhe jemi të gatshëm të ofrojmë çdo mbështetje nëse është e nevojshme.

Ftojmë të gjitha palët të veprojnë me përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin në rajon. (shih këtu)


E njëjta përmbajtje është gjetur e publikuar edhe në TikTok nga llogaria “sekreti_777”.


Analiza:

Përmes një postimi në Facebook pretendohet rrejshëm se duke u bazuar në burime zyrtare, Qeveria e Turqisë ka marrë përsipër që deri më 9 shkurt 2025, do të parandalojë çdo lloj sulmi terrorist dhe se këtë e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar nga burime zyrtare lidhur më këtë pretendim.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »