Shkroi: Fatbardh Dema
U pretendua se dje (21 gusht) këngëtari Sabri Fejzullahu ka vdekur pas një sëmundjeje të rëndë.
Ky pretendim u publikua në median sociale TikTok nga llogaria me emrin “aridonii01”.
E vërteta?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, një lajm me pretendim të tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim kredibil.
Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria “aridonii01”:
Në këtë postim të publikuar nga llogaria e lartcekur, i është vënë edhe logoja e faqes zyrtare në Facebook të televizionit Klan Kosova.
Hibrid.info ka hulumtuar në këtë faqe lidhur me këtë pretendim, por një përmbajtje e tillë nuk del të jetë publikuar në faqen “KlanKosova”. (shih këtu)
Edhe gjatë kërkimit përmes “Google”, nuk është gjetur asnjë artikull i publikuar nga burime kredibile që dëshmon një gjë të tillë. (shih këtu)
Edhe në llogarinë zyrtare të djalit të këngëtarit Sabri Fejzullahu, Ermalit, nuk ka asnjë njoftim për “vdekjen” e tij. (shih këtu)
Gjithashtu, mungojnë njoftime zyrtare për një pretendim të tillë, që në raste të tilla janë të zakonshme, duke e ditur se këngëtari në fjalë është fytyrë publike.
Postimi në TikTok, deri në shkrimin e këtij artikulli, ka arritur t’i grumbullojë mbi 50 mijë shikime, e mbi 100 komente. (shih këtu)
Analiza:
Llogaria “aridonii01” në TikTok ka pretenduar rrejshëm se dje (21 gusht) këngëtari Sabri Fejzullahu ka vdekur.
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i tillë në burime kredibile.
Një njoftim i tillë nuk është bërë as Ermal Fejzullahu, që është djali i këngëtarit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.