[email protected]
Pretendim i rremë se Qeveria Kurti do t’i ndërtojë mbi 600 shtëpi për shqiptarët në veri të Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një postimi pretendohet se Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin, do t’i ndërtojë  mbi 600 shtëpi për shqiptarët që jetojnë në veri të Kosovës.

Ky pretendim u publikua dje (10 shtator) në TikTok nga llogaria “gladiatorkosova1”.

E vërteta?

Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar në burime kredibile që pretendon për ndërtimin e mbi 600 shtëpive në veri të vendit. (këtu)


Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria “gladiatorkosova”:


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, sa i përket ndërtimin të shtëpive në veri të Kosovës, hibrid.info ka gjetur njoftimin e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili më 12 gusht ka njoftuar se dikasteri që ai drejton dhe shoqata “Jetimat e Ballkanit” kishin nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e ndërtimit të mbi 200 shtëpive në komunat Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan. (shih këtu)


Në postimin e publikuar në TikTok, krahas pretendimit, është vendosur edhe një video-material në të cilën shihet kryeministri Kurti.

Hibrid.info ka gjetur se ky video-material është publikuar dje (10 shtator) në profilin zyrtar të Kurtit në Facebook.

Kurti përmes kësaj videoje njoftoi se në Leposaviq është vendosur gurthemeli i objektit të ri, i cili do të akomodojë degën e Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe nën-stacionin e Policisë së Kosovës në fshatin Leshak, si dhe gurthemelet e shtëpive të reja të familjes Hajdari në Bistricë dhe familjes Miftari në Cerajë. (shih këtu)


Analiza:

Pretendimi se Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin do t’i ndërtojë mbi 600 shtëpi për shqiptarët në veri të vendit, është i rremë.

Kjo u vërtetua pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info. I vetmi njoftim që është gjetur i publikuar sa i përket ndërtimin të shtëpive në veri, është ai i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Në këtë njoftim thuhet se kjo Ministri së bashku me shoqatën “Jetimat e Ballkanit” kishin nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e ndërtimit të mbi 200 shtëpive në komunat Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e bërë në TikTok si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi: Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »
1406