Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një video-material me mbishkrimin, që pretendon se për arrestimin e disa personave të komunitet serb dhe konfiskimin e armatimit të rëndë, në veri të vendit, më saktësisht në afërsi të kufirit me Serbinë.
Video e publikuar sot (18 shtator) nga llogaria në TikTok me emrin “mtrks25”, shfaq pamje të forcave ushtarake e policore dhe pretendon se ky aksion është kryer nga njësia speciale dhe forcat turke.
Çka gjeti hibrid.info?
Hibrid.info ka vërtetuar se nuk ka konfirmim zyrtar për një operacion të tillë dhe se në videon në fjalë shfaqen pamje nga Turqia.
Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “mtrks25” (shih këtu).
Hibrid.info ka gjetur se në bazë të raportit ditor të Policisë së Kosovës, për datën 17 shtator, nuk raportohet për arrestime në veri nga Drejtoria Rajonale në Mitrovicë të Veriut dhe as Departamenti i Policisë Kufitare.
Pretendimi i njëjtë nuk konfirmohet as në publikimet e këtij institucioni në faqen në Facebook (shih këtu).
Hibrid.info, po ashtu me anë të “Google Map”, ka gjetur se pamjet e shfaqura në video, janë të lokalizuara në Stamboll, kryeqytetin e Turqisë (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se njësia speciale, në bashkëpunim me forcat turke, ka arrestuar disa persona të komunitetit serb dhe ka konfiskuar armatim të rëndë në veri, nuk qëndron.
Hibrid.info ka gjetur se në njoftimet zyrtare të institucioneve përkatëse, nuk konfirmohet pretendimi.
Me anë të “Google Map”, është vërtetuar se pamjet që shfaqen në video-material, janë realizuar në Stamboll.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.