info@hibrid.info
Pretendohet rrejshëm se aeroplani që shihet në video ka sjellë në Kosovë raketat “Javelin”
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” ka aterruar një aeroplan i aviokompanisë “National Airlines”, për të cilin pretendohet se ka sjellë në Kosovë raketat “Javelin” të prodhuara nga ShBA-ja.

Postimi u publikua sot (18 mars) në X (ish-Twitter) nga llogaria “albbibe”.

Përshkrimi i postimit i përkthyer në shqip

“Një cargo-aeroplan i llojit Boeing 747 aterron në Prishtinë në fshehtësi. Pëshpëritjet thonë se është i mbushur me Javelin për FSK-në / pjesë e paktit të dyshimtë Kosovë-ShBA. Cila është e vërteta prapa këtij aterrimi kolosal të mistershëm?”

Cila është e vërteta?

Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka gjetur videon autentike, e cila nuk përmban një pretendim të tillë.


Pas një hulumtimi online, hibrid.info ka gjetur videon autentike, e cila nuk përmban pretendime të tilla. Përdorimi i mjetit të verifikimit “InVID” ka mundësuar gjetjen e videos origjinale, e cila është publikuar në YouTube nga kanali “Andi’s Aviation” më 18 mars, në ora 00:42 bazuar në platformën Youtube Data Viewer. Ndërkaq, videoja në X u publikua po të njëjtën ditë, por në ora 01:09. Kjo tregon se videoja fillimisht është shpërndarë në YouTube para se të përdorej për të mbështetur pretendimin e pabazuar në X. (shih fotografitë më poshtë)

Çka tha ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci për raketat “Javelin”?

“Do t’i kemi në kohë në FSK, bazuar në planet për furnizim. Po bëjmë përpjekje që një sasi t’i kemi brenda këtij viti, edhe pse ushtria e Kosovës nuk ka mungesë kapacitetesh kundërtank, pasi kemi blerë edhe më herët sisteme të ngjashme, që janë moderne dhe efikase”, tha Maqedonci në konferencën e mbajtur më 12.03.2025. (shih këtu)

Pra, ministri nuk ka dhënë datë specifike për ardhjen e raketave Javelin nga ShBA-ja.


Ministria e Mbrojtjes e Kosovës (11 janar 2024) e konfirmoi porositjen e raketave “Javelin”, duke thënë se Kosova ka marrëveshje me ShBA-në për blerje ushtarake përmes programit FMS (Foreign Military Sales).

Përmes këtij programi, nga kjo ministri thanë se Kosova është e paraparë të kryejë blerje ushtarake përfshirë edhe sistemin Javelin dhe sisteme të tjera moderne ushtarake. 

Madje lajmi u konfirmua edhe nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili tha se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga ShBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri. 

Analiza:

Një video e publikuar në X pretendon se një avion cargo në Aeroportin “Adem Jashari” ka sjellë raketa “Javelin” për FSK-në. Pas verifikimit, hibrid.info gjeti videon autentike të publikuar më parë në YouTube, pa asnjë pretendim të tillë.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se FSK do të pajiset me “Javelin” sipas planit të furnizimit, por hibrid.info ka vërtetuar se nuk ka prova që kjo ngarkesë ka mbërritur me avionin e filmuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »