Shkroi: Endrit Berisha
Nëpërmjet një fotografie të publikuar në rrjetin social TikTok është pretenduar se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e mbështet Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër të vendit.
Pretendimi është publikuar nga llogaria “tavnikcitypdk” të mërkurën (26 qershor).
Çka nuk shkon me këtë postim?
Pas verifikimit nga hibrid.info, del se pretendimi i bërë nga kjo llogari është i rremë.
“Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier mbështet Bedri Hamzen për Kryeministër!” është mbishkrimi që llogaria në fjalë ia ka vënë sipër një fotografie të Hovenierit dhe Hamzës.
Vegëza e postimit të llogarisë “tavnikcitypdk” në TikTok:
Fotografia është marrë nga llogaria e Bedri Hamzës në Facebook. Ai dhe ambasadori amerikan shihen duke biseduar gjatë një organizimi në 25-vjetorin e misionit të OSBE-së në Kosovë më 25 qershor. (shih këtu)
“Në qershorin e vitit 1999, pas çlirimit, menjëherë kishte nisur puna për ndërtimin e jetës mbi gërmadhat e luftës dhe për krijimin e institucioneve të Kosovës. Sot, 25 vjet i bëri edhe misioni i OSBE-së në Kosovë. Dhe, me plot të drejtë mund të konstatojmë që këto 25 vjet ishin përplot me suksese. Ishin 25 vjet me punë të pandalshme për ndërtimin e demokracisë, për forcimin e lirisë së mediave, promovimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe zhvillimin e institucioneve të pavarura. Me OSBE-në i kemi vendosur themelet e demokracisë dhe Kosova është mirënjohëse përjetë!” ka shkruar Hamza në Facebook, në një seri fotografish të publikuara, ndër të cilat është edhe ajo me Hovenierin.
Ambasadori amerikan nuk ka dhënë ndonjë preferencë për politikanët në Kosovë. Hibrid.info përmes makinave online të kërkimit nuk ka arritur të gjejë ndonjë artikull në të cilin Hovenier ka ofruar mbështetje për Hamzën (shih këtu). Po ashtu nuk ka asnjë artikull kredibil në të cilin është raportuar se Hovenier mbështet ndonjë kandidat në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë (shih këtu).
Deri në publikimin e këtij artikulli, postimi në TikTok ka marrë mbi 250 pëlqime e afër 100 komente. Ka komentues që e kanë marrë për të mirëqenë postimin duke e kritikuar ambasadorin Hovenier. (shih fotografinë më poshtë)
Në fund të marsit, Partia Demokratike e Kosovës e prezantoi Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër. Hamza aktualisht është kryetar i Mitrovicës së Jugut. PDK-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt. Mandati katërvjeçar i Qeverisë aktuale të kryeministrit Albin Kurti përfundon në fillim të vitit 2025. Aktualisht nuk ka datë për zgjedhjet e ardhshme.
Analiza:
Llogaria “tavnikcitypdk” në TikTok ka publikuar një fotografi të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, dhe ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovennier, nga një ceremoni e OSBE-së dhe pa fakte i ka vënë mbishkrimin se Hovenieri e mbështet kandidatin e PDK-së për zgjedhje.
Por hibrid.info s’ka gjetur asnjë artikull për mbështetjen e pretenduar nga Hovenier për Hamzën apo ndonjë kandidat tjetër.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.