Shkroi: Fatbardh Dema
U pretendua se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një tubim në Greqi pa pëlqimin e autoriteteve greke.
Kjo përmbajtje u publikua sot (13 maj) nga një llogari në median sociale “Telegram” me përmbajtje në gjuhën serbe.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi i bërë nga llogaria e lartcekur, nuk qëndron.
Duke u bazuar në raportimet në mediat greke thuhet se vizita e Edi Ramës ishte private pa karakter zyrtar, dhe se Qeveria e Greqisë nuk e ka ndaluar këtë tubim.
Vegëza e postimit të publikuar në Telegram nga llogaria “БУНТ је стање духа” (shqip: rebelimi është një gjendje shpirtërore)”:
https://ghostarchive.org/archive/DrqVP

Pjesë nga përmbajtja e publikuar në Telegram, e përkthyer në shqip:
Kryeministri shqiptar Edi Rama ndodhet në Greqi, ku pa pëlqimin e autoriteteve greke ka zhvilluar një tubim për mbështetësit e tij në arenën “Galaci” në Athinë dhe më pas ka postuar një video të ngjarjes në rrjetet e tij sociale.
Zëdhënësi i qeverisë së Greqisë, Pavlos Marinakis, gjatë një interviste dhënë për televizionin SKAI tha se “qeveria greke as nuk e ka ftuar zotin Rama, as nuk është një takim dypalësh dhe as nuk ka mundur – dhe askush nuk ka thënë ndryshe, sepse nuk ka si të thuhet – të ndalojë një tubim”. (shih këtu)
Mediumi tjetër grek “Himara.gr” ka raportuar paraprakisht se vizita e Ramës në Greqi do të mbahej në Teatrin e Krishtlindjeve, në Qendrën Olimpike Galatsi dhe se fillimisht pjesëmarrësit kishin marrë një përgjigje negative për këtë hapësirë specifike, por siç shkruan ky medium, pas prapavijës së dendur diplomatike, iu dha drita jeshile. (shih këtu)
E ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis, siç pati shkruar “euronews.al”, kishte thënë se Rama nuk do të pengohet nga MPJ-ja greke dhe se autoritetet do t’i garantojnë sigurinë përfaqësuesve të shtetit shqiptar. (shih këtu)
Analiza:
Një llogari në Telegram në gjuhën serbe, përmes një postimi të publikuar sot (13 maj) pretendoi se kryeministri shqiptar Edi Rama, ka zhvilluar një tubim në Greqi me mbështetësit e tij pa pëlqimin e autoriteteve greke.
Ishte zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, i cili potencoi se qeveria e Greqisë nuk e ka ndaluar këtë tubim. E ministri i Jashtëm, Georgios Gerapetritis, pati thënë se Rama nuk do të pengohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë e se autoritetet do t’i garantonin sigurinë përfaqësuesve të shtetit shqiptar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.