[email protected]
Rama nuk ka thënë se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull i titulluar, “Edi Rama mashtron: – Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën!”.

Artikulli është publikuar në Facebook dje (21 maj), nga “Bota Sot”, faqe e portalit “botasot.info”.

Por, hibrid.info ka vërejtur se në këtë publikim nuk është bërë e qartë se ky artikull paraqet një shkrim opinionist.


Vegëza e artikullit të publikuar nga faqja “Bota Sot”:

https://archive.is/K1VJo


Hibrid.info ka gjetur se brenda përmbajtjes, kuptohet se shkrimi paraqet opinion të shkruar nga Prof. Enver Byrtyçi, gjë e cila nuk qartësohet në publikimin e këtij artikulli në Facebook (shih këtu).

Në këtë opinion, autori ka shprehur vlerësimet e tij mbi deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, i cili në një intervistë është shprehur se po të ishte ai në krye të Kosovës, do të zbatonte të gjitha detyrimet që vijnë nga Marrëveshja e Brukselit dhe më pas përgjegjësia t’i mbetej Serbisë (shih këtu).


Hibrid.info ka gjetur se opinionin e tij për këtë deklarim të Ramës, autori e ka përmbledhur me fjalinë “Edi Rama mashtron, Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën” (shih këtu), fjali me të cilën edhe është titulluar ky shkrim. Por që në titull, pohimit se “Edi Rama mashtron”, i është vendosur shenja e pikësimit (:) (këtu), çka nënkupton se pohimi tjetër “Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën”, vjen si deklaratë e kryeministrit Rama.

Pra, përveç se në publikim nuk sqarohet se artikulli paraqet opinion, titulli i artikullit është paraqitur gabimisht në formë deklarate të kryeministrit Edi Rama.


Analiza:

Pretendimi se kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën nuk është i saktë.

Hibrid.info ka gjetur se artikulli i publikuar nga “botasot.info” paraqet një opinion ndonëse një gjë e tillë nuk bëhet e qartë në publikimin në faqen në Facebook të këtij portali. Po ashtu titulli i opinionit është paraqitur gabimisht si deklarim i kryeministrit Rama.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »