info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Lajme të rreme në Tiktok për lirimin e Thaçit dhe Veselit, raportohet gabimisht se në shpërthimin në Zubin Potok u dëmtua diga dhe lajm i rremë se disa vende në Kosovë kanë ngelur pa rrymë
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Lajmet e rreme janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Lajmet e rreme të publikuara në platforma si TikTok, Facebook dhe mediume online kanë trajtuar tema të ndjeshme për opinionin publik në Kosovë. Në TikTok, më 22 nëntor, llogaria “kadriveseliofficial_” pretendoi lirimin e Kadri Veselit nga Gjykata Speciale, duke shkruar se ai do të kthehej në Kosovë në dhjetor. Pas verifikimit u konfirmua se Gjykata nuk ka marrë asnjë vendim të tillë. Po ashtu, më 24 nëntor, e njëjta llogari publikoi pretendime të rreme, duke thënë se Sami Lushtaku kishte shkruar në Facebook për lirimin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit më 20 dhjetor, ndërsa pas hulumtimit rezultoi se ky pretendim nuk ekzistonte. Një tjetër pretendim i pavërtetë erdhi nga mediumi rus në serbisht RT Balkan më 26 nëntor, duke raportuar se delegacioni i Kosovës kishte marrë pjesë në një seancë parlamentare në Montreal, pretendim që më pas u transmetua edhe nga Gazeta Express më 27 nëntor. Në fakt, delegacioni kishte deklaruar më herët, më 25 nëntor, se nuk do të merrte pjesë në këtë ngjarje. Këto raste ilustrojnë përhapjen e dezinformatave në lidhje me figura dhe ngjarje të rëndësishme në Kosovë.

Lajmet e rreme/Mashtrim janë publikuar kryesisht në TikTok nga llogaria “kadriveseliofficial_”, duke përhapur pretendime të pavërteta lidhur me lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Një prej pretendimeve ishte se më 20 dhjetor do të organizohej një pritje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, të ilustruar me dy imazhe, ku njëri tregonte një pamje të aeroportit me mbishkrim që përforconte pretendimin, dhe tjetri një postim të rremë nga faqja zyrtare e aeroportit që thuhej se konfirmonte ngjarjen. Po ashtu, më 26 nëntor, e njëjta llogari publikoi një imazh të rremë të një postimi të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku pretendohej se ai shprehej i lumtur për lirimin e Thaçit dhe Veselit dhe njoftonte ardhjen e tyre në Kosovë më 20 dhjetor. Verifikimet nga hibrid.info treguan se nuk ka asnjë vendim për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe se postimet e pretenduara janë të rreme, duke ilustruar përhapjen e qëllimshme të dezinformatave për tema të ndjeshme në Kosovë.

Manipulimi i fakteve është publikuar në TikTok nga llogaria “newsilir” më 24 nëntor, duke pretenduar gabimisht se deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka deklaruar se “fushatën po e dominon PDK-ja”, ndërsa videoja është e vjetër dhe i përket vitit 2019 kur ai ishte analist politik.

Manipulimi i fakteve është publikuar nga mediat ruse si RT Balkans dhe Sputnik në gjuhën serbe, si dhe nga disa media serbe, si Informer, ku Sergey Lavrov ka krahasuar masakrën në Bucha të Ukrainës me ngjarjet në Reçak të Kosovës në janar të vitit 1999, duke i cilësuar si “të inskenuara”, pretendime që janë demantuar nga organizata ndërkombëtare të besueshme me fakte dhe prova.

Dezinformata është publikuar më 23 nëntor në TikTok nga faqja “albin_kosova0”, ku është manipuluar një sondazh për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke ndryshuar shifrat nga sondazhi origjinal i realizuar në emisionin “Adresa e Ankesave” të Kanal 10.

Dezinformata dhe clickbait janë publikuar nga kanalet zyrtare të mediave në gjuhën shqipe, si NTV Televizion dhe Euronews Albania, me pretendime të rreme lidhur me shpërthimin që dëmtoi kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në Zubin Potok. Ato përfshinin pretendime në titull për kërcënime nga ambasadorët e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj Serbisë, fajësimin e serbëve nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe pretendime se qytetarët kanë mbetur pa rrymë, të cilat janë vlerësuar si ta pasakta nga hibrid.info.

Një teori konspirative është publikuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, drejtuar nga Petar Petkoviq, e cila pretendon se hapja e nënstacionit policor në Zveçan ka për qëllim pushtimin e veriut të Kosovës. Megjithatë, njoftimi i Qeverisë së Kosovës sqaroi se nënstacioni do të shërbejë për Policinë Kufitare, e cila ka si mandat mbrojtjen e kufirit dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale ndërkufitare, pa asnjë lidhje me “pushtimin” apo “militarizimin ilegal”.

Përmbajtje e pa verifikuar është publikuar më 22 nëntor në Facebook nga faqja “Lajme Nga Bota”, ku pretendimin se një pjesëtar i Policisë së Kosovës po kryente rite fetare në borë afër kufirit Kosovë – Serbi është shoqëruar me një fotografi. Pas verifikimit, hibrid.info ka zbuluar se fotografia është e vjetër, e publikuar nga llogaria “Ardian Lushtaku” më 28 dhjetor 2019, dhe nuk paraqet pjesëtar të PK-së.

Përmbajtje e pa verifikuar dhe dezinformuese është publikuar më 29 nëntor në Facebook nga faqja “Jeta n’Podujevë”, ku pretendohet se shumë vende në Kosovë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të shpërthimit në Zubin Potok, që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Pas verifikimit nga hibrid.info, u konstatua se nuk ka asnjë informacion që të mbështesë këtë pretendim dhe nuk ka prova që videoja e publikuar të ketë lidhje me shpërthimin.

Mashtrimi është realizuar përmes një mesazhi në WhatsApp, i cili ofron mundësinë e mbushjes falas prej 5 euro duke përdorur një vegëz “tinyurl.com/solde-kx”. Ky mesazh është dërguar nga numrat e kontaktit që i posedon përdoruesi. Pas klikimit në vegëz, hapet një ueb-faqe me emrin “maeoi.com”, që është verifikuar nga hibrid.info dhe ka rezultuar e dyshimtë, duke e identifikuar këtë si një përpjekje mashtrimi.

Deklaratë e paargumentuar dhe e pa verifikuar është bërë nga gazetari Branislav Kërstiq, i cili ka pretenduar se bashkëshortja e kryeministrit Albin Kurti, Rita Augestad Knudsen, jeton dhe punon në Beograd. Ky pretendim është i pa mbështetur në fakte, pasi Kërstiq nuk ka ofruar asnjë argument për këtë deklaratë, dhe mediat e vendit e kanë transmetuar pa e verifikuar.

Deklarata e paargumentuar është dhënë nga Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, më 30 nëntor, ku ai pretendoi pa asnjë argument apo mbështetje faktike, sse shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok i jep alibi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar persekutimin e serbëve.

Gabim është publikuar në dy publikime nga faqet në Facebook të mediave “Syri.net Kosova” dhe “Kallxo.com”, ku është pretenduar se si pasojë e një shpërthimi është dëmtuar një digë në Zubin Potok. Pas verifikimit të fakteve, është zbuluar se shpërthimi i së premtes ka ndodhur në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit dhe jo në ndonjë digë.

Lajm i rremë

Përmes një publikimi në TikTok është pretenduar për lirimin nga gjykimi i ish-kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit nga Gjykata Speciale në Hagë. Publikimi u bë më 22 nëntor nga llogaria “kadriveseliofficial_” në TikTok, ku shkruan “Lirohet nga gjykimi KADRI VESELI”, derisa në përshkrimin e një foto të Veselit thuhet se “Çlirimtarët priten të vijnë në Kosovë në muajin Dhjetor”. Pas verifikimit të fakteve zbulohet se Gjykata Speciale nuk ka marrë vendim për lirimin e ish-parlamentarit, njëherit ish-kyetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili bashkë me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë në paraburgim në Hagë, nën akuzën për krime lufte. (këtu)

Përmes një postimi pretendohet se anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, ka shkruar në faqen e tij zyrtare në Facebook se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të lirohen më 20 dhjetor nga Gjykata Speciale. Ky postim u publikua (24 nëntor) në TikTok nga llogaria “kadriveseliofficial_”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se një postim i tillë nuk është bërë nga Lushtaku. (këtu)

Një pretendim i publikuar nga një medium në gjuhën serbe, është transmetuar edhe në mediat në gjuhën shqipe. Pretendimi i “RT Balkan”, i publikuar më 26 nëntor, thotë se në seancën e Asamblesë Parlamentare të mbajtur në Montreal të Kanadasë në datat 22-25 nëntor, ka marrë pjesë edhe delegacioni i Kosovës. Një ditë më vonë (27 nëntor), pretendimin e mediumit në gjuhën serbe e ka transmetuar edhe së paku një medium në gjuhën shqipe në Kosovë. Por, ky pretendim (më 26 nëntor në “RT Balkan” dhe më 27 nëntor në “Gazetën Express”) ishte mohuar qysh para se të publikohej i njëjti në këto dy media, pasi anëtarët e delegacionit të Kosovës ishin deklaruar më 25 nëntor se nuk do të jenë pjesëmarrës në punimet e kësaj seance, për arsye të ndryshme. (këtu)

Lajm i rremë/Mashtrim

Janë publikuar përmbajtje që pretendojnë se më 20 dhjetor organizohet pritje për Hashim Thaçin, ish-presidentin e Kosovës dhe Kadri Veselin, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Pretendimi është dhënë me anë të dy imazheve të publikuara në TikTok nga një llogari me emrin “kadriveseliofficial_”. Imazhi i parë paraqet një pamje nga aeroporti me mbishkrimin e vendosur që paraqet pretendimin, ndërsa imazhi i dytë paraqet një postim të faqes së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku konfirmohet pritja e ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Por, hibrid.info ka gjetur se ende nuk është marrë një vendim në procesin gjyqësor, që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. (këtu)

Është publikuar një përmbajtje që pretendon se Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ka shkruar Facebook, ku është shprehur tejet i lumtur me lajmin e lirimit nga Haga, të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ish-krerëve të UÇK-së. Tutje në postim thuhet se Kosova i pret ata, më 20 dhjetor. Imazhi që paraqet postimin e Ramës në Facebook, është publikuar (26 nëntor) në TikTok nga një llogari me emrin “kadriveseliofficial_”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë njoftim që tregon se ish-udhëheqësit e UÇK-së janë liruar nga procesi gjyqësor në Hagë dhe se në llogarinë e Ramës, nuk ka asnjë postim çfarë pretendohet në publikimin e trajtuar. (këtu)

Manipulim i fakteve

Është pretenduar se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se “fushatën po e dominon PDK-ja”. Publikimi u bë nga llogaria “newsilir” në TikTok, më 24 nëntor. Në të shihet Muja teksa thotë se Partia Demokratike e Kosovës është duke dominuar në terren. “Armend Muja i VV-se ma n’fund e flet te verteten: Fushaten po e dominon PDK-ja”, është mbishkrimi i vendosur në video. Përderisa video e paraqet Mujën si anëtar të partisë politike Lëvizja Vetëvendosje (LVV), pas verifikimit të fakteve del se videoja është e vjetër dhe e kohës kur Muja ishte analist politik e jo deputet i kësaj partie. Ai në këtë video ka qenë duke folur për zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 dhe jo për situatën aktuale, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. (këtu)

Manipulim i fakteve/Dezinformatë

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, ka përsëritur pretendimin e të njohur dezinformues duke e krahasuar masakrën në Bucha të Ukrainës, me ngjarjet e ndodhura në fshatin Reçak në Kosovë në janar të vitit 1999. Në një tryezë të rrumbullakët diplomatike të organizuar me temën e mundësive për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, gjatë fjalimit të tij, Lavrov krahasoi masakrën në Bucha, Ukrainë, me ngjarjet në fshatin Reçak të Kosovës në janar të vitit 1999, duke e cilësuar si “të inskenuar”. Pretendimi i Sergey Lavrov është publikuar nga mediat ruse si RT Balkans dhe Sputnik në gjuhën serbe, si dhe nga disa media serbe, si Informer. Pretendimet e tij janë demantuar nga organizatat ndërkombëtare të besueshme me fakte dhe argumente të qarta. (këtu)

Dezinformatë

Një faqe në Tik Tok “albin_kosova0”, më 23 nëntor ka postuar një sondazh për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Sipas këtij sondazhi, prin Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje me 54.7%, pastaj Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me 18.7%. Më pas Lumir Abdixhiu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me 17.1% dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.5%. Sondazhi në fjalë thekson se këto rezultate janë pa votat e diasporës. Nga kërkimet e hibrid.info, ka rezultuar se ky sondazh është manipuluar me shifra, pasi origjinali është bërë në emisionin “adresa e ankesave” të Kanal 10. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

Janë publikuar disa përmbajtje me pretendime që lidhen me shpërthimin, i cili dëmtoi kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, në Zubin Potok. Pretendimet janë publikuar si video-materiale nga kanalet zyrtare të mediave në gjuhën shqipe (NTV Televizion dhe Euronews Albania). Pretndimet kanë të bëjnë me kërcënime ndaj Serbisë, nga ana e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili fajëson serbët për atë që ndodhi e deri tek pretendimi se qytetarët në vend kanë mbetur pa rrymë. Por, gjetjet e hibrid.info tregojnë se asnjë nga këto pretendime nuk janë të sakta. (këtu)

Teori konspirative

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, që për drejtor ka Petar Petkoviqin, ka bërë një pretendim të pabazë se gjoja me hapjen e nënstacionit policor në Zveçan, qëllimi i Qeverisë së Kosovës është pushtimi i veriut. Ndërkaq, në njoftimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e këtij nënstacioni policor, thuhet se ai do të jetë në shërbim të Policisë Kufitare “e cila ka në mandat mbrojtjen dhe sigurinë e kufirit dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale ndërkufitare”. Në bazë të deklarimit të kryeministrisë, nuk bëhet fjalë për “pushtim” apo “militarizim ilegal”, por kemi të bëjmë me ndërtim të një nënstacioni të policisë kufitare. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Përmes një fotografie pretendohet se në të shfaqet një pjesëtar i Policisë së Kosovës (PK) duke kryer rite fetare në borë afër kufirit Kosovë – Serbi. Kjo fotografi me këtë pretendim është gjetur e publikuar me datë 22 nëntor në Facebook nga faqja “Lajme Nga Bota”. Pas kërkimit online, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se nuk kemi të bëjmë me pjesëtar të PK-së. Fotografia autentike është publikuar nga një llogari që mban emrin “Ardian Lushtaku” me datë 28 dhjetor 2019. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Përmes një videoje të publikuar (29 nëntor) pretendohet se shumë vende në Kosovë kanë mbetur pa energji elektrike si shkak i shpërthimit që ndodhi në Zubin Potok, në veri të vendit, që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Videoja me këtë pretendim u publikua në Facebook nga faqja “Jeta n’Podujevë”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se nuk ka asnjë informacion që shkaku i këtij shpërthimi, disa vende në Kosovë janë përballur me mungesë të energjisë elektrike. Gjithashtu, nuk ka asnjë fakt që videoja e publikuar (29 nëntor) të jetë realizuar pas shpërthimit që ndodhi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. (këtu)

Mashtrim

Një mesazh në aplikacionin për komunikim WhatsApp po qarkullon në numrat e telefonave në Kosovë. Përmes këtij SMS-i ofrohet një vegëz, përmes së cilës pretendohet se ofrohet mundësi për të përfituar mbushje falas prej 5 euro. Ky SMS po dërgohet nga numrat e kontaktit që i posedon përdoruesi. Hibrid.info ka verifikuar vegëzën që ofrohet në këtë SMS “tinyurl.com/solde-kx”. Pas klikimit në të, hapet një ueb-faqe me emrin “maeoi.com”. Hibrid.info ka verifikuar këtë ueb-faqe dhe rezultatet tregojnë se ajo është e dyshimtë. (këtu)

Deklaratë e paargumentuar/Përmbajtje e paverifikuar

Gazetari dhe opinionisti Branislav Kërstiq ka bërë mbrëmë një deklaratë të paargumentuar në lidhje me bashkëshorten e kryeministrit Albin Kurti, Rita Augestad Knudsen. Ai pretendoi se e njëjta jeton dhe punon në Beograd. Kjo deklaratë është e paargumentuar, pasi ai në asnjë rast nuk ka dhënë asnjë argument për këtë deklarim. Gjithashtu, mediat në vend e kanë transmetuar deklaratën e Kërstiqit pa e verifikuar të njëjtën. (këtu)

Deklaratë e paargumentuar

Nëpërmjet një deklarate është pretenduar se shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok i jep alibi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti “për të vazhduar persekutimin e serbëve”. Deklarata u dha nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, më 30 nëntor, në ueb-faqen e kësaj zyre. Por, Petkoviq nuk ka ofruar asnjë argument për këtë deklaratë. Hibrid.info ka trajtuar në të kaluarën disa deklarata të pabazuara në fakte të tij dhe të zyrtarëve të lartë serbë për “persekutim të serbëve”. (këtu)

Gabim

Përmes dy publikimeve është pretenduar se si pasojë e një shpërthimi Zubin Potok është dëmtuar një digë. Raportimi u bë nga faqet në Facebook të mediave në gjuhën shqipe “Syri.net Kosova” dhe “Kallxo.com”. Pas verifikimit të fakteve, kuptohet se shpërthimi i së premtes në Zubin Potok ka ndodhur në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit dhe jo në ndonjë digë. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »