Portali “Lecanton27.ch” i vetëquajtur si “gazeta e parë zvicerane në gjuhën shqipe” ka publikuar dje (2 tetor një artikull me pretendimin se Tirana zyrtare është pro “Rusisë së Madhe”.
Me titull “Tirana i thote PO « Rusise se Madhe »! Nga nënte vende evropiane (anëtare te NATO) që denoncojnë aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Moska, Shqiperia e Edi Rames mungon?!”, ky portal ka lënë të kuptohet se Shqipëria është pro, siç thuhet, “Rusisë së Madhe”.
Në përmbajtje të artikullit, portali i lartcekur, duke u bazuar në mospërfshirjen e Shqipërisë në një iniciativë ndërshtetërore, për dënimin e invadimit të paprovokuar ushtarak të Rusisë në Ukrainë, e quajnë pabazueshëm si një aprovim nga ana e Tiranës zyrtare dhe kryeministrit Edi Rama.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Lecanton27.ch”:
Megjithatë, pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se Shqipëria është kundër aneksimit të territoreve të Ukrainës nga Rusia.
Me datë 1 tetor në OKB, Shqipëria dhe SHBA-të kanë paraqitur një projektrezolutë kundër aneksimit rus të rajoneve të Ukrainës, e cila është votuar nga dhjete vende. (shih këtu)
Gjithashtu, edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, nëpërmjet një postimi në Twitter, shkruan se Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe se Tirana zyrtare nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara. (shih këtu)
Portali “Lecanton27.ch” këtë pretendim e ka nxjerrë pas deklaratës së përbashkët të presidentëve të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilët e kanë dënuar aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Federata Ruse. (shih deklaratën këtu)
Sipas Zyrës së presidentit të Polonisë, Andrzej Dud, presidentët që iu kanë bashkëngjitur kësaj deklaratë janë, president i Republikës Çeke, Miloš Zeman, president i Republikës së Estonisë, Alar Karis, president i Republikës së Letonisë, Egils Levits, president i Republikës së Lituanisë, Gitanas Nauseda, president i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, president i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, president i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, president i Rumanisë, Klaus Iohannis, presidentja e Republikës së Sllovakisë Zuzana Čaputová.
Për mos bashkëngjitjen e Shqipërisë në këtë qëndrim apo më saktë kryeministrit Edi Rama, portali “Lecanton27.ch” e ka paraqitur këtë si një aprovim nga ana e Tiranës zyrtare për “aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Rusia”.
Pra, nuk është e vërtetë që Tirana i ka thënë “po” “Rusisë së Madhe”, siç pretendohet rrejshëm në titullin e artikullit të publikuar në “Lecanton27.ch”.
Analiza:
Portali “Lecanton27.ch” ka pretenduar se Tirana i ka thënë “po” – “Rusisë së Madhe”, duke e ndërlidhur me aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Moska.
I gjithë ky pretendim është ngritur nga mos deklarimi i Edi Ramës lidhur me këtë çështje.
Mirëpo, ky pretendim i këtij artikulli është i pasaktë, pasi që Shqipëria ka dal disa herë kundër aneksimit të territoreve ukrainase nga Rusia. Më 1 tetor në OKB, së bashku me SHBA-të, kanë paraqitur një projektrezolutë kundër aneksimit rus të rajoneve të Ukrainës.
Gjithashtu edhe ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, përmes një postimi në Twitter është shprehur se Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe se Tirana zyrtare nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara.
Pas analizës së kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar nga “Lecanton27.ch” si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.