Përgatiti: Astrit Veliqi
Në një portal informativ në Kosovë është publikuar një artikull se deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, do të jetë pjesë e listës për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit (AAK).
Artikulli u publikua nga “Indeksonline.net” dje (13 nëntor). Aty theksohej se deputeti i LDK-së, Agim Veliu do të jetë kandidat për deputet nga AAK në zgjedhjet që do të mbahen vitin që vjen më 9 shkurt.
Çka gjeti hibrid.info?
Nga hulumtimi i kryer nga hibrid.info ka gjetur se artikulli në fjalë tashmë është fshirë nga ueb-faqja e këtij portali (shih fotografinë më poshtë)

Mirëpo, hibrid.info ka arritur të gjejë në “fax.al” vegëzën e këtij artikulli të publikuar nga Indeksonline.net. (shih këtu)

Po ashtu përmbajtja u gjet edhe në portalin tjetër “gazetaprojekti.com”, në përmbajtjen e të cilit citohet “Indeksonline.net” si burim informacioni (shih këtu).

Ndërkaq, deputeti Agim Veliu është kontaktuar nga portali informativ “Reporteri.net”. Këtu, ai ka mohuar pretendimin se do të jetë kandidat për deputet në këto zgjedhje (shih këtu)
“Hiç s’kam pas bisedime me njeri të gjallë, as kurrë s’më ka shku mendja me ba atë punë. Gënjeshtër është”, citohet të këtë thënë Veliu.
Më vonë në një reagim në llogarinë e tij në “Facebook”, deputeti Veliu ka theksuar se një lajm i rremë i publikuar nga Indeksonline.net, se kinse do të jetë në listën e kandidatëve për deputet të AAK-së shpejt është shpërndarë nëpër portale.
Një lajm i rremë i publikuar nga Indeksonline, se kinse unë do të jem në listën e kandidatëve për deputet të AAK-së shpejt është shpërndarë nëpër portale.
Një lajm i tillë në kohë fushate, përveç që është i rremë, më bën të dyshoj se është i porositur nga ata që duan ta atakojnë personalitetin tim dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Por, për të gjithë ata që pretendojnë që në çfarëdo forme të më shohin jasht LDK-së, e kam një porosi: askush dhe asnjë forcë nuk mund ta largojë Agim Veliun nga LDK-ja”, thuhet mes tjerash në reagimin e tij.(shih këtu)
Analiza:
U pretendua se Agim Veliu do të jetë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për të garuar në listën për deputetë në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt.
Artikulli i publikuar fillimisht nga portali “Indeksonline.net”, si lajm ekskluziv, është fshirë në ndërkohë, mirëpo i njëjti ende figuron në Google. Madje, artikulli në fjalë është publikuar edhe në së paku një portal tjetër informativ në gjuhën shqipe.
E vetë Veliu, në një prononcim për portalin “Reporteri.net”, ka mohuar zërat se do të garojë për deputet në listen e AAK-së. Po ashtu, ai tha se nuk ka pasur asnjë diskutim me njëri të gjallë për këtë punë, derisa edhe në një reagim në “Facebook” është shprehur se lajmet e tilla në kohë të fushatës e atakojnë direkt personalitetin e tij sikurse edhe LDK-në
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar nga Indeksonline si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.
Ky artikull është përgatitur si pjesë e projektit ‘Kundër Dezinformimit përmes Inovacionit dhe Mësimit Eksperimental’, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Artikulli është verifikuar nga ekipi i Hibrid.info dhe ekspertët e angazhuar për të siguruar përputhjen me metodologjinë tonë për verifikimin e fakteve. Ky artikull përmban verifikime të mirëfillta, por nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Hibrid.info apo të Ambasadës së SHBA-së.