[email protected]
Arno Gujon, i angazhuar nga qeveria serbe për të “luftuar lajmet e rreme”, dezinformon për Sanija Ametin
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Sanija Ameti u bë qendra e kritikave në Zvicër fundjavën e kaluar, pasi postoi disa foto në Instagram ku ajo shfaqej duke qëlluar me armë zjarri një fotografi të Shën Mërisë dhe Krishtit foshnjë.

Mediat serbe kanë publikuar artikuj që spekulojnë për identitetin e saj, duke e identifikuar pa prova si me prejardhje nga Kosova.

Mediat në gjuhën serbe, si Kurir.rs, Blic.rs, Kosovo-Online.com dhe Danas.rs, mes tjerash, kanë raportuar për rastin e Sanija Ametit, duke pretenduar se ajo ka prejardhje nga Kosova. Artikujt përfshijnë tituj sensacionalistë, si ai i Blic.rs: “NJË POLITIKANE NGA KOSOVA KA SHTËNË NË NJË FOTO TË VIRGJËRESHËS ME JEZUSIN! Sanija bëri bujë në rrjete, fshiu me shpejtësi gjithçka: Ja si u justifikua pas skandalit”.

Kurir.rs gjithashtu pretendon se familja e Sanija Ametit erdhi si refugjate nga Kosova në Zvicër në vitet 1990. Të njëjtën linjë ndjek edhe Kosovo-Online.com dhe Danas.rs, duke raportuar se ajo ka prejardhje nga Kosova, por pa ofruar fakte konkrete për këto pretendime.

Pretendimit dezinformuese se Sanija Ameti është me prejardhje nga Kosova i bashkëngjitet edhe Arno Gujon, i cili së fundmi është emëruar nga qeveria serbe si Drejtor i Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore të Serbisë.

Ai ka publikuar një video-material në platformën “X” (ish-Twitter) ku zënë vend fotografi të Sanija Ametit, e cilat shfaqin të njëjtën duke qëlluar me armë zjarri një fotografi të Shën Mërisë dhe Krishtit foshnjë. Këtij video-materiali, Gujon ia ka bashkëngjitur mbishkrimin “Say no to Kosovo Albanian extremism” (Thuaj jo ekstremizmit shqiptar të Kosovës)”, dukë lënë të nënkuptohet se identiteti i Sanija Ametit është shqiptare e Kosovës.

Ashtu si pretendimet e mediave serbe, edhe ai i drejtorit të Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore të Serbisë, Gujon, nuk mbështeten në të dhënat publike lidhur me identitetin e Sanija Ametit, pasi ajo nuk ka deklaruar asnjëherë se është me origjinë nga Kosova. Gjatë një interviste për median zvicerane “pme.ch” në 2022, është raportuar se ajo ka prejardhje nga Bosnja dhe Hercegovina, ku thuhet: “E lindur në Bosnjë më 1992, ajo erdhi në Cyrih në moshën 3-vjeçare me prindërit e saj”. (këtu)

E vetmja lidhje me Kosovën, së paku nga të dhënat publike online, duket të jetë një fushatë zgjedhore e saj për Këshillin Nacional të Zvicrës, të cilën e nisi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. (këtu)

Por, kush është Arno Gujon?

Lindur në vitin 1985 në Grenoble, Francën juglindore, ai vizitoi Kosovën për herë të parë në fund të vitit 2004, kur edhe vendosi të themelojë organizatën humanitare “Solidariteti për Kosovën”. (këtu) Në maj të vitit 2015 ka marrë nënshtetësinë serbe.

Në fund të nëntorit 2020, Qeveria e Serbisë e emëroi ushtrues detyre të drejtorit të Drejtorisë për bashkëpunim me diasporën dhe serbët në rajon në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në tetor 2023, ai iu bashkua Partisë Përparimtare Serbe. Në maj të vitit 2024 u emërua drejtor i Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore. 

Kjo zyrë aktualisht është duke formuar ekipe për t’iu përgjigjur asaj që konsiderohet si lajm i rremë nga politika zyrtare e shtetit serb. Ekipet duhet të formohen deri në fund të vitit dhe do të ndjekin mediat në të gjitha gjuhët e huaja, kryesisht në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. (këtu)

Zyra për Diplomaci Publike dhe Kulturore nuk e ka bërë publike se si do të përcaktohen dezinformatat dhe gënjeshtrat, nëse do të ketë verifikim të fakteve, apo nëse do të përdoret ndonjë metodologji në luftën kundër dezinformatave. Nuk u ofrua asnjë koment mbi akuzat se puna e këtyre ekipeve mund të synojë censurimin e kritikave ndaj autoriteteve serbe. (këtu)

Në një deklaratë për media serbe, Arno Gujon tha se ekipet speciale për luftimin e “lajmeve të rreme” kundër Serbisë do të funksionojnë në pesë gjuhë dhe do të monitorojnë raportet për Kosovën, sipas tij, një nga temat më të përhapura në mediat botërore. Sipas Gujonit, Kosova është një temë e zakonshme në mediat perëndimore, dhe “Serbia duhet të reagojë me qartësi, duke theksuar marrëveshjet e respektuara dhe ato të parespektuara nga Prishtina, pasi Serbia gjithmonë ka qenë konstruktive”. Ai shoti se “lajmet më të rreme për Serbinë u transmetuan gjatë viteve 1990, veçanërisht gjatë bombardimeve të vitit 1999, dhe se shumë gazetarë perëndimorë kanë ndërtuar karrierën e tyre mbi këto dezinformata për Ballkanin dhe Serbinë”. (këtu)

Gjashtë vjet më parë, Arno Gujonit iu ndalua hyrja në Kosovë. Francezi me nënshtetësi serbe, që drejton organizatën “Solidariteti për Kosovë”, u konsiderua si rrezik për shtetin dhe pritej të shpallej person i padëshiruar. Policia kosovare, duke u bazuar në informacione operative, e identifikoi atë si person me mision të fshehtë, prandaj në pikën kufitare Merdare ai u ndalua falë informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Një burim i AKI-së i kishte thënë Klan Kosovës se Gujon kishte lidhje me organizata ruso-serbe, dhe se ndihmat e tij për serbët në Kosovë ishin mbulim për aktivitete të rrezikshme.

Aktiviteti i tij kundërthënës në Kosovë ishte raportuar nga Klan Kosova edhe në fund të vitit 2017, kur për herë të parë një televizion kosovar xhiroi shpërndarjen e ndihmave të tij për serbët, nën mbikëqyrjen e Kishës Ortodokse. Gujon pati deklaruar se që nga viti 2004 sjell ndihma në Kosovë përmes Kishës Ortodokse, e cila është favorizuar nga Dogana për të mos paguar taksa për artikujt humanitarë. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »
1406