[email protected]
Arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it interpretohet pa fakte si përpjekje për tensione të reja në veri
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një komunikate publike, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar se arrestimi i një qytetari serb në Bistricë të mërkurën (19 qershor) është përpjekje për të shkaktuar krizë në veri të Kosovës.

Kjo zyrë ka thënë se arrestimi i Lazar D. është bërë për arsye politike dhe është përpjekje e Albin Kurtit për të përshkallëzuar situatën në veri dhe për të shkaktuar krizë të re.

Çka thuhet në komunikatën e kësaj zyre?

“Arrestimi i Lazar D., përpjekje e re e Kurtit për të shkaktuar krizë në veri të Kosovës dhe Metohisë”, mban titullin reagimi në uebfaqen zyrtare të kësaj zyre. Ky reagim u publikua të enjten (20 qershor). Reagimi përmban pretendime për të cilat zyra nuk ka ofruar asnjë fakt.


Vegëza e publikimit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:

https://www.kim.gov.rs/v5599.php


“Arrestimi i mbrëmshëm i Lazar D. Në pikën famëkeqe të urës së Bistricës, për shkak të ngjarjeve të vitit të shkuar përballë komunës së Zveçanit, ishte i motivuar vetëm për arsye politike dhe është përpjekje e re e Albin Kurtit për ta përkeqësuar situatën në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe të shkaktojë krizë të re”, thuhet në hyrje të reagimit.

Tutje në këtë reagim, kjo zyrë ka thënë se këtë deklaratë e mbështet “në faktin se Lazar D. si doganier në vendkalimin administrativ në Jarinjë ka kaluar këtë rrugë çdo ditë për më shumë se një vit dhe ka lëvizur lirshëm në veri të Kosovës e Metohisë dhe tani është marrë në mbajtje pasi Prishtinës po i shkon për shtati rritja e tensioneve të reja”.

Pjesë nga komunikata, e përkthyer në gjuhën shqipe:

“Është e qartë se Kurti, duke vazhduar terrorin, që zakonisht e aplikon gjatë diskutimeve për mundësinë e vazhdimit të dialogut, dëshiron të provokojë serbët në Kosovë e Metohi dhe të përshkallëzojë më tepër situatën në terren dhe të ikë nga detyrimet e tij në dialog. Si ka mundësi që askush s’është mbajtur përgjegjës për plagosjen e Dragisha Galjkos para komunës së Zveçanit, që u qëllua pas shpine nga policia me dy plumba, dhe sot e kësaj dite po rikuperohet nga ato lëndime, e një serb i Zveçanit u arrestua sepse ai dhe bashkëqytetarët e tij ishin përballë komunës së vet duke protestuar kundër pushtimit?

Më tej në komunikatë thuhet se “garancitë e dhëna nga SHBA-ja dhe BE-ja në dhjetor të 2022-s që serbët s’do të arrestohen për arsye politike dhe tubime proteste kanë qenë vetëm letra boshe për kohë të gjatë” si dhe se “Kurti i ka duart e lira për të kryer terror kundër serbëve”.

Në fund kjo zyrë ka thënë se në vend të sanksioneve për Kosovën për shkak të arrestimeve, përfaqësuesit perëndimore po i anulojnë masat ndaj Kosovës.

“Në vend që përfaqësuesit perëndimorë të bashkësisë ndërkombëtare ta shohin Kurtin nga afër, është koha që të ndalet politika antiserbe e Prishtinës, e cila krijon kushte të padurueshme të jetesës për popullin serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet tutje në komunikatë.

Pra, për asnjë nga pretendimet, zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk ka ofruar fakte.


Pretendimi i kësaj zyre është publikuar edhe në disa mediume në gjuhën serbe (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)


Çka ka thënë Policia e Kosovës?

Mbrëmjen e së mërkurës, Policia e Kosovës njoftoi për arrestimin e të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, ka thënë se i dyshuari ishte në kërkim.

“Sonte rreth orës 19.15 në pikën e kontrollit në Bistricë është ndaluar një person me inicialet L.D. që ishte në kërkim në lidhje me rastin e 29 Majit 2023 ku ishin lënduar 93 zyrtar të KFOR-it.I njëjti është duke u intervistuar në Mitrovicë në Stacionin policor në Jug. Ai po intervistohet nga ana e hetuesve të krimeve të rënda në Prishtinë dhe pas intervistimit do të vendoset për hapat e mëtejme”, ka thënë Elshani për RTKlive. (shih këtu)

Ndërkaq në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës të enjten, është bërë e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Raporti për këtë rast:

“BASHKIM PËR VEPRIMTARI KUNDËR KUSHTETUESE ME QËLLIM TË SULMIT KUNDËR RENDIT KUSHTETUES Të REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Zveçan, 29.05.2023, NN.  Njësia policore gjatë realizimit të detyrave ligjore në një pikë kontrolli kanë ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar dhe gjatë verifikimit ka rezultuar se është i kërkuar për sulmin ndaj KFOR-it dhe zyrtarëve policor afër objektit të Komunës. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.


Çka kishte ndodhur në maj të 2023-s në veri?

Në fund të majit të vitit 2023, serbët protestuan në komunat në veri kundër kryetarëve të rinj shqiptarë që fituan në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët dhe partitë serbe. Protestat kulmuan me përleshje me pjesëtarë të KFOR-it. Gjatë përleshjeve u lënduan dhjetëra zyrtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve morën lëndime të rënda. (shih këtu)


Komunikatat e kësaj zyre në disa raste janë trajtuar nga hibrid.info. Në vazhdimësi kjo zyrë ka bërë pretendime duke ndërlidhur veprimet e institucioneve të Kosovës me nxitje për tensione e spastrim etnik – pa ofruar fakte. (shih shembujt këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk ka ofruar asnjë fakt për pretendimin se arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj zyrtarëve të KFOR-it është bërë me qëllime politike dhe për të nxitur tensione të reja në veri të Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “teori konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406