[email protected]
Arsenijeviq, subjekt i dezinformimit
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Më 10 shtator, Albin Kurti vizitoi veriun e Kosovës, të banuar kryesisht nga serbët. Ai fillimisht vendosi gurthemelin e një stacioni policor në Leshak, Leposaviq, pastaj vizitoi një restorant të hapur rishtazi me pronar shqiptar në Mitrovicën e Veriut dhe më pas zhvilloi një takim me kryetarin e kësaj komune, Erden Atiq.

Gjatë vizitës së Kurtit në këtë komunë, aktivisti dhe politikani serb nga veriu i Kosovës, Alleksandar Arsenijeviq shprehu pakënaqësinë e tij duke i rënë pipëzës në shenjë proteste. Ai u paralajmërua nga zyrtarët policorë që të ndalojë atë veprim, mirëpo i njëjti nuk iu bind urdhrit policor. Si pasojë, ai u arrestua nga Policia e Kosovës, gjë që shkaktoi reagime të shumta nga shoqëria civile, të cilat e dënuan këtë veprim si të papranueshëm.

Pas kësaj, në media sociale u publikuan disa fotografi të Arsenijeviqit përmes së cilave pretendohej se i njëjti ka qenë pjesë e grupeve të armatosura serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Një llogari në Twitter shpërndau një foto të Arsenijeviqit në prani të individëve të maskuar me pretendimin se ishin “anëtarë të maskuar të të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’ në Zveçan më 29 maj 2023, ditën kur u sulmuan trupat e KFOR-it” dhe se “shumë nga këta persona të maskuar” kishin qenë të përfshirë në agresionin e Banjskës më 24 shtator të vitit të kaluar. Madje, Arsenijeviq u akuzua për rol të drejtpërdrejtë në “orkestrimin e dhunës dhe trazirave”.

Ky pretendim zuri vend edhe në disa media me titull: “Protestuesi ‘paqësor’ Aleksandar Arsenijeviq me të “maskuarin” ku u sulmua KFOR-i”. (këtu, këtu)

Arsenijeviq iu përgjigj akuzave duke deklaruar se, ndonëse kishte marrë pjesë në protestë, në momentin e ngjarjes ishte rrugës për në Prishtinë për të marrë pjesë në një programin televiziv, duke i hedhur poshtë kështu pretendimet se ai ishte i përfshirë në dhunën ndaj KFOR-it.

Në një postim në Facebook, që përfshinte dy fotografi – një nga Arsenijeviq në Qendrën Mediale në Çagllavicë dhe një tjetër ku pretendohet se ai shfaqet me maskë– thuhet: “Aleksandar Arsenijeviq, politikan në mëngjes, kriminel i maskuar pasdite. Fotoja me maskë është bërë gjatë protestave të dhunshme kundër ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës, ku u plagosën dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, policë dhe staf mediatik”.

Në media është bërë verifikimi i fotos së personit me maskë dhe është bërë identifikimi i tij, i cili e rezulton të mos jetë Arsenijeviq.

Në platformën “X” është publikuar një fotografi e Arsenijeviqit me kallashnikov në dorë, duke pretenduar se ka marrë pjesë në trazirat menjëherë pas luftës në Kosovë.

Mirëpo, regjisori Nenad Todoroviq i ka mohuar këto akuza, duke shpjeguar se fotografia është bërë gjatë xhirimeve të filmit “Keqkuptimi” më shumë se dhjetë vjet më parë. Sipas tij, automatiku në fotografi në fakt është plastike, e blerë në një dyqan në Prishtinë për qëllimet e filmit, në të cilin Arsenijeviq luajti një nga rolet kryesore.

Prandaj, duke u bazuar në faktet e disponueshme dhe krahasimin e tyre nga burime të ndryshme, pretendimet kundër Alleksandar Arsenijeviqit janë të pabazuara dhe përfaqësojnë një përpjekje për manipulimin e opinionit publik.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »