info@hibrid.info
Biden nuk ka dhënë komente publike për sulmin ndaj ish-ambasadores Tracey Ann Jacbson
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh që pretendon se presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), është shprehur se momenti më i keq në raport me Kosovën, ishte gjatë kohës sa ai kishte shërbyer si zv.president, kur grupe të organizuara nga Albin Kurti, kishin sulmuar ambasadoren amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Kjo përmbajtje është publikuar dje (8 nëntor) në një grup publik në Facebook, me emrin “Diaspora me PDK”, nga një llogari me emrin “Komente Politike”.

A qëndron pretendimi?

Hibrid.info nuk ka gjetur deklarata publike të Joe Biden, në raport me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundrejt ish-ambasadores amerikane në Prishtinë.


Duke hulumtuar në mënyrë manuale, me anë të motorit online të kërkimit, “Google”, hibrid.info ka gjetur të publikuar nga dy llogari (viti 2020), në Facebook, të njëjtin imazh me të njëjtin mbishkrim (shih këtu dhe këtu).

Burimet e tjera nga ky hulumtim, nuk ofrojnë dëshmi se një deklarim i tillë ka ardhur nga Biden.

Rezultat i njëjtë shfaqet edhe pas kërkimit të pretendimit në gjuhën angleze.

Duke qenë se në mbishkrim, pretendohet se Biden ka përmendur emrin e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, hibrid.info ka bërë kërkimin manual për deklaratat e mundshme të presidentit amerikan për Kurtin.

Gjetjet e hibrid.info, tregojnë se Biden, asnjëherë nuk ka dhënë komente publike për veprimtarinë politike të Kurtit (shih këtu dhe këtu).


Në vitin 2013, gjatë një proteste të LVV-së, ku ishin bllokuar hyrjet e Kuvendit të Kosovës, kishte mbetur e lënduar ish-ambasadorja, Tracey Ann Jacobson, sulmin ndaj së cilës e kishin dënuar Ambasada e ShBA-së dhe presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga.

Hibrid.info ka gjetur artikuj që tregojnë se ish-zëvendës ndihmësi i Sekretarit të Shtetit në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker gjatë një vizite në Prishtine, kishte reaguar ndaj LVV-së, pas incidentit, duke i quajtur ata “kllounët që duan të jenë të dhunshëm”. (këtu dhe këtu).


Analiza:

Pretendimi se presidenti Joe Biden, sulmin ndaj ish-ambasadores, Tracey Ann Jacobson, nga grupet e organizuara të Albin Kurtit, e ka cilësuar si momentin më të keq në raport me Kosovën, nuk qëndron.

Gjetjet e hibrid.info tregojnë se Biden nuk ka dhënë komente publike sa i përket këtij incidenti.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »