Shkroi: Etrit Rexhepi
Me një njoftim për mbylljen e llogarisë nis mesazhi, që pretendohet se vjen nga platforma Facebook/META, e që i njëjti u është dërguar qytetarëve nga Kosova.
Përmes këtij mesazhi, të shkruar në gjuhën shqipe, e të dërguar në aplikacionin për komunikim “WhatsApp”, pretendohet se përdoruesi ka shkelur standardet e komunitetit të Facebook, dhe i bëhet thirrje të klikojë në një vegëz. Në të kundërtën thuhet se brenda 12 orëve do t’i çaktivizohet llogaria në këtë media sociale.
Çka qëndron prapa këtij mesazhi?
Hibrid.info ka gjetur se mesazhi është i dyshimtë.

Hibrid.info së pari ka hulumtuar për prefiksin e numrit që ka dërguar mesazhi, me kërkimet që rezultojnë të tregojnë se prefiksi +84, i përket Vietnamit.
Hibrid.info po ashtu ka kontrolluar vegëzën që përmban mesazhi, pas klikimit të së cilës, shfaqet mesazhi se kjo faqe nuk mund të gjendet.
Për ta vërtetuar edhe më shumë kredibilitetin e kësaj faqeje, hibrid.info ka përdorur platformën për verifikimit të ueb-faqeve “Scamdoc.com”, me rezultatet që tregojnë se e besushmëria e këtij domaini është e ulët.
Facebook ka lëshuar njoftime për përdoruesit në lidhje me këto mesazhe të rreme, duke sqaruar se nuk duhet t’u besohet atyre.
Ju mund t’i besoni një mesazhi nga platformat e META-s nëse adresat përfundojnë me:
- facebookmail.com (duke përfshirë priority.facebookmail.com )
- facebook.com (duke përfshirë support.facebook.com dhe developers.facebook.com )
- fb.com
- metamail.com
- meta.com
Hibrid.info ka trajtuar edhe më herët pretendim të ngjashëm.
Analiza:
Një mesazh elektronik (SMS) iu është dërguar qytetarëve të Kosovës në WhatsApp, në gjuhën shqipe me pretendimin se autor të mesazhit të janë nga Facebook/META.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se i njëjti nuk është dërguar nga Facebook dhe përmban një vegëz (link) të dyshimtë.
Gjithashtu, numri që ka dërguar këtë SMS ka prefiksin e Vietnamit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë SMS si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.