info@hibrid.info
Dezinformata në TikTok për kryeredaktoren e Periskopit, Dafina Demaku
shape
shape
shape

Llogaria në TikTok “@QEVERIA KURTI 2” ka publikuar një përmbajtje me pretendime të ngritura në përshkrimet se kryeredaktorja e portalit informativ online “Periskopi.com”, Dafina Demaku, është “gazetare pro-serbe” dhe “e dyshuar për agjente e Agjencisë së Sigurisë Informative (BIA) të Serbisë”.

Kjo llogari në TikTok nuk sjell asnjë fakt për pretendimin e ngritur.

Fotografi të përmbajtjes së publikuar nga llogaria në TikTok, “@QEVERI KURTI 2”:

Mbishkrimi në përmbajtjen e publikuar nga llogaria në TikTok, “@QEVERI KURTI 2”:

Dafina Demaku, Gazetarja pro serbe është e dyshuar si Agjente e BIA serbe.

Këta janë Analistat pro serb të dyshuar si Agjent të BIA-së serbe.


Pretendimi i ngritur se kryeredaktorja e portalit informativ “Periskopi”, Dafina Demaku, “dyshohet si agjente e BIA-s serbe është i pabazë. Llogaria në TikTok nuk ofron asnjë fakt apo burim lidhur me pretendimin e bërë.

Për më tepër, lidhur me përmbajtjen e publikuar në TikTok ka reaguar edhe Demaku duke ironizuar me përmbajtjen. (këtu)

Lidhur me rastin Demaku, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) për një fushatë denigruese dhe linçuese ndaj saj që po zhvillohet në rrjete sociale, kryesisht në TikTok.

AGK ka dënuar ashpër këtë fushatë kundër Demakut që, sipas tyre, cenon direkt sigurinë personale dhe të afërmëve të saj. Njëherësh, AGK-ja fton organet e sigurisë të hetojnë postimet linçuese ndaj Demakut në mënyrë që më pas të ndërmirren masa për të zbuluar kush qëndron prapa fushatës. (këtu)

Këto pretendime të bëra nga kjo llogari nuk mund të gjenden më në rrjetin social TikTok. Kjo u vërtetua nga hulumtimi i kryer përmes makinave online të kërkimit dhe mediave sociale. Edhe përkundër kërkimit të thellë hibrid.info nuk ka arritur të gjejë llogarinë që kishte publikuar përmbajtje me pretendime të tilla. Si duket kjo llogari është fshirë. Megjithatë është arritur të gjenden fotografitë e postimeve të arkivuara nga mediat që raportuan dhe vet Demaku. (e publikuar më lartë)


Edhe gazetari Berat Buzhala nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë të ditur se llogaria në TikTok me emrin “@QEVERIA KURTI 2” ka publikuar përmbajtje të rreme me pretendimin se ai gjatë vizitës së fundit në Beograd është takuar me përfaqësuesit e BIA-së serbe. (këtu)


Analiza:

Nuk ofrohen fakte për pretendimin se Dafina Demaku, kryeredaktore në portalin informativ online “Periskopi” përshkruhet si “gazetare pro-serbe” dhe “e dyshuar për agjente e agjencisë së sigurisë informative (BIA) të Serbisë.

Pretendime të pa bazuara nga kjo llogari në TikTok janë bërë edhe kundrejt gazetarit Berat Buzhala. Por ky i fundit rastin nuk e ka njoftuar AGK-në.

Demaku e ka njoftuar AGK-në për rastin në fjalë dhe e ka cilësuar si fushatë denigruese dhe linçuese ndaj saj.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »