[email protected]
Edukimi i keqkuptuar medial
shape
shape
shape
EDU

Shkruan: Faton Ismajli

Vendimmarrësit në nivel qendror dhe lokal nuk po e kuptojnë konceptin se çka është, si dhe pse duhet të ketë edukim medial të detyrueshëm në arsimin fillor. Shpesh po e ngatërrojnë me edukimin digjital, po e interpretojnë si nevojë për edukimin e gazetarëve dhe prodhuesve të tjerë të përmbajtjeve mediale. Në fakt, edukimi medial është më shumë se edukim digjital dhe është përtej edukimit të gazetarëve. Është proces i formimit të një vetëdijeje kritike për përmbajtjet e mediave. Është shkathtësi për t’u mbrojtur nga çrregullimi informativ i të gjithë atyre që kanë media, media sociale dhe platforma të tjera në internet, e që prodhojnë keqinformim, dezinfomim, propagandë e informacione të rreme.

Për herë të parë, në një ligj të miratuar në Parlamentin e Republikës, deputetët kanë vendosur që ta përkufizojnë edukimin medial dhe t’ia lënë Komisionit të Pavarur të Mediave detyrën që ta bëjë “promovimin dhe krijimin e masave dhe mjeteve efektive për edukimin medial…”.

Në Ligjin me plot probleme të KPM-së, edukimi medial konceptohet si aftësi e qytetarëve për t’i përdorur mediat në mënyrë efektive dhe të sigurt. Më tej, shpjegohet se edukimi medial i pajis qytetarët me aftësitë e të menduarit kritik që kërkohen për të gjykuar dhe analizuar realitete komplekse si dhe për ta njohur dallimin mes faktit dhe opinionit.

Në këtë projekt duhet të përfshihen të gjithë hisedarët e edukimit medial, prej OJQ-ve, universiteteve dhe institucioneve qendrore e lokale.

Krahas nismave të Departamentit të GazetarisëReporterit, së fundmi edhe “hibrid.info” publikoi një raport përshkrues për gjendjen jo të mirë të edukimit medial në Kosovë. Pa asnjë dyshim, rekomandimi ishte që edukimi medial të hyjë në kurikulën mësimore të arsimit fillor si lëndë e detyrueshme. Vendosja e edukimit medial si lëndë zgjedhore ose nëpër lëndë të ndryshme nuk është zgjidhje dhe as nuk është trajtim serioz i një lënde kaq të rëndësishme për sistemin arsimor në Kosovë.

Sidoqoftë, pse ka ngurrim kaq të madh të vendimmarrësve që të vendosin që edukimin medial ta përfshijnë si lëndë të detyrueshme në tërë sistemin arsimor në Kosovë?

Përgjigjet mund të jenë të ndryshme, por mendoj se, para se gjithash, vendimmarrësit e kanë keqkuptuar edukimin medial.

Pra, ka një keqkuptim të thellë nga institucionet e Kosovës sa i përket edukimit medial. Këtë formë edukimi e kuptojnë më shumë si proces të edukimit të gazetarëve që të raportojnë në mënyrë etike dhe ligjore dhe jo si edukim të publikut ose grupeve të caktuara për t’u krijuar shkathtësi të nevojshme se si t’i kuptojnë mediat dhe si të krijojnë gjykim kritik për to.

Keqkuptimi tjetër është se edukimin medial e lidhin me edukimin teknologjik. Edukimi medial nuk është i njëjtë me aftësitë e njerëzve për përdorim të teknologjisë. Edukimi medial është aftësi e njerëzve për të pasur qasje kritike për përmbajtjet që prodhohen nga të gjitha llojet e mediave.

Pa asnjë dyshim, edhe edukimi teknologjik është i rëndësishëm, por përmes edukimit medial do të mund të kombinoheshin format e ndryshme të krijimit të shkathtësive të fëmijëve për t’i kuptuar dhe krijuar gjykimet kritike për mediat dhe përmbajtjet e tyre.

Gjenerata e fëmijëve të sotshëm, prej kohës kur janë të gatshëm që ta mbajnë në duart e tyre telefonin celular, i zhvillojnë aftësitë e përdorimit të teknologjisë. Dhe pikërisht pse s’kanë edukim medial, shumë prej tyre bien pre e lojërave të rrezikshme, dezinformatave dhe përdorimit të mediave vetëm për argëtim.

Edukimi medial synon që fëmijët t’i edukojë për t’i përdorur mediat në mënyrë sa më efikase dhe të dobishme për t’i thelluar njohuritë e tyre.

Qasja e Ministrisë së Arsimit se edukimi medial është i mjaftueshëm, pasi përfshihet tek edukimi teknologjik dhe në disa lëndë si Gjuha shqipe, Matematika, Historia etj., është i gabuar, sepse në këtë formë, edukimi medial nuk merret seriozisht as nga mësimdhënësit dhe as nga nxënësit. Duke e mësuar edukimin medial në lëndë të tjera, e jo në një lëndë bazike, mësuesit, profesorët dhe nxënësit e krijojnë idenë se ajo nuk është e rëndësishme sa një lëndë mësimore.

Faktet e përsëritura në të gjitha debatet e diskutimet se shumica e fëmijëve kanë telefona celularë, kanë qasje në internet, kanë media sociale, e shtron edhe një herë urgjencën që edhe Kosova, sikur edhe vendet e tjera të zhvilluara, ta vendosë edukimin medial si lëndë të detyrueshme për t’u dalë përballë sfidave.

Vendimmarrësit në nivel qendror dhe lokal nuk po e kuptojnë konceptin se çka është, se pse duhet të ketë edukim medial i detyrueshëm në arsimin fillor. Po e ngatërrojnë me edukimin digjital, po e interpretojnë si nevojë për edukimin e gazetarëve dhe prodhuesve të tjerë të përmbajtjeve mediale. Në fakt, edukimi medial është më shumë se edukim digjital dhe është përtej edukimit të gazetarëve. Është proces i formimit të një vetëdijeje kritike për përmbajtjet e mediave. Është shkathtësi për t’u mbrojtur nga çrregullimi informativ i të gjithë atyre që kanë media, media sociale dhe platforma të tjera në internet e që prodhojnë keqinformim, dezinfomim, propagandë e lajme të rreme.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Projekti implementimet në partneritet me mediumin “Front Online”. Autori është profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet, apo rekomandimet e shprehura këtu, janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit. Reporteri.net mban të rezervuar çdo të drejtë për rishpërndarjen e këtij artikulli.

Share With Others

Translate »