[email protected]
Exit-Polli për zgjedhjet lokale 2017 në Ferizaj paraqitet rrejshëm si sondazh për zgjedhjet 2025
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar për sondazh lidhur me zgjedhjet që pritet të mbahen në vitin 2025.

Publikimi u bë nga llogaria “mentor.g.me” në TikTok më 26 shtator.

Çka nuk shkon me publikimin?

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se fotografia ishte marrë nga viti 2017, nga një Exit-Poll për zgjedhjet lokale në Komunën e Ferizajt.


“Zgjedhjet 2025” është mbishkrimi që llogaria “mentor.g.me” në TikTok ia ka vënë imazhit të Exit-Pollit të vitit 2017.


Sipas fotografisë, në vend të parë në këtë sondazh të pretenduar është Partia Demokratike e Kosovës me 32.7 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës është e dyta me 30.2 për qind, Lëvizja Vetëvendosje e treta me 22.9 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.3 për qind e katërta dhe Nisma e pesta me 2.3 për qind. Mbi fotografinë, është edhe mbishkrimi “AAK LVV” mbi shiritat tre dhe katër në grafikë, si përpjekje për ta paraqitur AAK-në si të tretën dhe LVV-në si të katërtën.

Hibrid.info ka gjetur fotografinë e njëjtë që ishte përdorur në një artikull të portalit “zeri.info” më 22 tetor 2017. Artikulli në fjalë mban titullin “Kjo është partia që mori më së shumti vota në Ferizaj” dhe në përmbajtje bëhej fjalë për një Exit-Poll për këtë komunë. Në fotografinë e Exit-Pollit shihet edhe logoja e mediumit “klankosova.tv”, e që është e hequr nga publikimi në TikTok.


Publikimi në TikTok nga llogaria “mentor.g.me” ka marrë mbi 15 mijë shikime deri tash. I ka marrë afro 200 pëlqime dhe 130 komente.


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16 gusht, caktoi 9 shtatorin 2025 si datë për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të rregullta në Kosovë.

Javëve të fundit ka pasur disa raste që hibrid.info ka hasur në përmbajtje të rreme që lidhen me sondazhe për zgjedhjet e ardhshme (shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Në TikTok është publikuar një imazh që është pretenduar të paraqitet si sondazh për zgjedhjet që pritet të mbahen në Kosovë në vitin 2025.

Llogaria “mentor.g.me” ka publikuar imazhin duke ia shtuar mbishkrimin “zgjedhjet 2025”. Megjithatë, hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për imazh nga një Exit-Poll për zgjedhjet lokale në Ferizaj në vitin 2017.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »