Portali informativ “Rilindja.al” dhe disa portale të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë publikuar një artikull me titull “Shtohen shpenzimet për shqiptarët! Facebook dhe Instagram bëhen me lekë, 11 dollarë në muaj”.
Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në artikull, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i pasaktë dhe nuk i përgjigjet përmbajtjes.
Në përmbajtje gjendet njoftimi i udhëheqësit të kompanisë META, Mark Zuckerberg, kompani kjo që ka nën udhëheqje mediat sociale Facebook e Instagram.
Zuckerberg ka njoftuar se, në këto dy media sociale, do të bëhet me pagesë verifikimi i llogarive për të interesuarit që duan t’i verifikojnë ato me “Bexhin e kaltër”.
Pra, titulli i vendosur nga “Rilindja.al” dhe portalet e dyshimta, lënë të kuptohet se përdorimi i mediave sociale do të bëhet me pagesë. Gjithashtu, lajmi nuk ka të bëjë specifikisht vetëm me shqiptarët, siç mund të nënkuptohet përmes titullit.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Rilindja.al”:
Nga ajo që shihet përmes hapjes së këtij artikull, kuptohet se përmes titullit bëhet një pretendim i cili, në fakt, nuk argumentohet në përmbajtje. Pra, përderisa në titull pretendohet se “shqiptarët do të obligohen të paguajnë për përdorimin e Facebook-ut dhe Instagram-it, në përmbajtje paraqitet një deklaratë e Zuckerberg-ut për një shërbim të ri me pagesë, por që nuk është i obligueshëm për të gjithë përdoruesit. E aq më tepër, në këtë deklaratë të të parit të META-s, nuk potencohen specifikisht shqiptarët, siç pretendohet përmes titullit.
Hibrid.info ka gjetur disa artikuj që kanë transmetuar në shqip deklaratën autentike të Zuckerberg-ut, në të cilët është bazuar edhe mediumi “Rilindja.al”, por duke e deformuar atë përmes titullit. (shih këtu dhe këtu)
Zuckerberg përmes llogarisë së tij personale ka njoftuar lidhur me këtë opsion (këtu). (shih njoftimin më poshtë të përkthyer në gjuhën shqipe)
Mirëmëngjes dhe njoftimi i produktit të ri: këtë javë ne po fillojmë të lançojmë Meta Verified – një shërbim abonimi që ju lejon të verifikoni llogarinë tuaj me një kartën tuaj personale të identitetit, të merrni një distinktiv blu, të merrni mbrojtje shtesë nga imitimi kundër llogarive që pretendojnë se jeni ju, dhe merrni akses të drejtpërdrejtë në mbështetjen e klientit. Ky funksion i ri ka të bëjë me rritjen e autenticitetit dhe sigurisë në të gjitha shërbimet tona. Meta Verified fillon me 11,99 dollarë në muaj në ueb ose 14,99 dollarë në muaj në iOS. Do të dalim në Australi dhe Zelandën e Re këtë javë dhe në vende të tjera së shpejti.
Gjatë hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë këtë artikull me titull të njëjtë të publikuar edhe në portalet e dyshimta si “televizioni-24.com”, “newz1.com” dhe “enews3post.com”.
Analiza:
Portali “Rilindja.al” dhe disa portale të dyshimta kanë publikuar një artikull, duke pretenduar në titull se Facebook dhe Instagram bëhen me pagesë për shqiptarët.
Mirëpo, në përmbajtje theksohet se verifikimi i llogarive do të bëhet me pagesë, për personat që duan t’i verifikojnë ato me “Tick-un e kaltër”. Gjithashtu, lajmi nuk ka të bëjë veçanërisht për shqiptarët, siç lë të kuptohet nga titulli i vendosur.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.