Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një imazhi paraqitet një librezë me fotografinë dhe emrin e zëvendëspresidentes amerikane Kamala Harris, duke pretenduar se ajo ishte anëtare e partisë komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik (BRSS).
Ky pretendim u publikua në gjuhën shqipe nga faqja “Patriotët E Botës Re” në Facebook.
E vërteta?
Pas hulumtimit në lidhje me këtë fotografi, hibrid.info ka vërtetuar se kjo librezë nuk i përket Kamala Harris, dhe se e njëjta është krijuar përmes një faqeje interneti që lejon këdo të krijojë karta identifikimi të epokës sovjetike.
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Patriotët E Botës Re”:
https://www.facebook.com/100072452020037/videos/2438291476359610
Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur se i njëjti pretendim, për kandidaten e Partisë Demokratike për presidente të SHBA-ve, ka qarkulluar edhe në gjuhën angleze dhe i njëjti është trajtuar nga kontrolluesi i fakteve, “Snopes.com” (shih këtu).
Hibrid.info ka kuptuar se sipas trajtimit të “Snopes.com”, imazhi që shfaq “librezën e anëtarësimit” të Harrisit në partinë komuniste të ish-BRSS-së, është krijuar përmes një ueb-faqeje (stalinanavas.net/kpss/), e cila lejon këdo të krijojë karta identifikimi të epokës sovjetike. (shih këtu)
Pas hulumtimit përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka gjetur se përmes kësaj ueb-faqeje janë krijuar një numër i madh i këtyre librezave, duke përdorur emra të personave të ndryshëm. (shih këtu)
Analiza:
Përmes një imazhi që shfaq një librezë anëtarësie, pretendohet se zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris, ka qenë anëtare e partisë komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik.
Pas hulumtimit, hibrid.info ka vërtetuar se kjo librezë nuk është autentike dhe nuk i përket Harrisit. Platforma amerikane për kontroll faktesh “Snopes.com”, ka vërtetuar se kjo librezë është krijuar përmes një ueb-faqeje që lejon këdo të krijojë karta identifikimi të epokës sovjetike.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e bërë nga faqja “Patriotët e Botës Re”, si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.