Shkroi: Fatbardh Dema
Është pretenduar se makinat e votimit për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po u pengojnë votuesve të votojnë për kandidatin e Partisë Republikane, Donald Trump, dhe se vota e tyre po shkon automatikisht për kandidaten e Partisë Demokratike, Kamala Harris.
Pretendimi u bë nga faqja në gjuhën shqipe në Facebook, “Investiguesi Shkrimor” që më 31 tetor publikoi një video në të cilën shihet se si ekrani nuk lejon të shtypet vota për Trumpin dhe më pas selektohet katrori me emrin e Harrisit.
“Makinat e votimit pengojnë amerikanët të zgjedhin Donald Trump si presidentin e tyre, dhe në vend të kësaj automatikisht përzgjedhin Qamilen. E si u katandis kështu ky HALEati ynë?!” ka shkruar “Investiguesi Shkrimor” si përshkrim të videos, e cila deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info ka marrë 1.6 mijë shikime, rreth 20 reagime dhe 11 komente.

E vërteta?
Pretendimi se makinat e votimit po pengojnë votuesit që duan ta zgjedhin Trumpin për president, është i pasaktë. Siç kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë, videoja në fjalë ka të bëjë me gabim të votuesit dhe jo të makinerisë.
Postimi origjinal u bë në rrjetet sociale në SHBA. Menjëherë ishte ngritur pretendimi se po ndërhyhet në zgjedhje. Rasti është trajtuar edhe nga agjencia prestigjioze e lajmeve “Associated Press”, që e ka cilësuar të rremë pretendimin se po bëhet mashtrim me vota, për zgjedhjet e 5 nëntorit.
Siç ka shkruar AP-ja, bëhet fjalë për një incident të izoluar të shkaktuar nga gabimi njerëzor, sipas zyrtarit të zgjedhjeve në qarkun Laurel County të shtetit të Kentuckyt në SHBA, Tony Brown. Ai ka publikuar një video në Facebook, në të cilën ka sqaruar se për të votuar duhet klikuar në mes të katrorit dhe jo në mini-katrorin afër emrit të kandidatit për president. Sipas njoftimit të tij, e që u mor për bazë nga AP-ja, makina ishte jashtë shërbimit deri në kryerjen e hetimeve nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të Kentuckyt dhe se pas hetimeve puna e saj ka vazhduar. Sipas zyrtarit, nuk ka pasur asnjë ankesë për makinën para apo pas incidentit dhe se votuesja në videon e publikuar ka thënë se ka arritur ta kryejë me sukses votën për kandidatin e preferuar.
Pos kësaj, në shtetin e Kentuckyt, votuesve iu mundësohet që pas shtypjes në ekranin digjital të konfirmojnë votën para se ajo të printohet. Por edhe po që se votuesi e sheh se vota e tij është shtypur gabim pas printimit, ligji në Kentucky ua mundëson ta hedhin atë dhe të rivotojnë deri në dy raste.
Votimi i hershëm ose siç njihet paravotimi (para datës së zgjedhjeve) në SHBA është proces i zakonshëm në të cilin u mundësohet njerëzve që të votojnë përmes postës apo qendrave të caktuara të votimit, dhe është me qëllimin që të rritet numri i votuesve dhe që të shmangen pengesat për njerëzit që punojnë ose kanë obligime në ditën e zgjedhjeve (detajet).
Më 5 nëntor, SHBA-ja do të mbajë zgjedhjet presidenciale, ku zgjidhet presidenti dhe zëvendëspresidenti i ri. Kamala Harris e Partisë Demokratike dhe Donald Trumpi i Partisë Republikane janë favoritët dhe konsiderohen në garë të ngushtë për pozitën e presidentit të ardhshëm (detajet).
Analiza:
Pretendimi se makinat e votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po u pengojnë votuesve të votojnë Donald Trumpin e Partisë Republikane për president, është i pasaktë.
Publikimi që fillimisht ka qarkulluar në gjuhën angleze, e që në gjuhën shqipe u shpërnda në Facebook nga llogaria “Investiguesi Shkrimor”, është trajtuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”, që ka bërë të ditur se bëhet fjalë për gabim të votuesit dhe jo të makinës. Për më shumë votuesja në fjalë ka pranuar se ka votuar më pas për kandidatin e saj të preferuar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson publikimin e “Investiguesit Shkrimor” si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.