info@hibrid.info
Keqinformatat rreth “Euro 2024” të trajtuara në 10 ditët e para të kësaj ngjarjeje
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Përmbajtje të paverifikuara, manipulim faktesh, mashtrime e dezinformata që lidhen me Kampionatin Evropian të futbollit “Euro 2024” kanë qenë keqinformatat që kanë mbizotëruar në ditët e fundit ndër rastet që ka trajtuar hibrid.info.

Të paktën tetë publikime janë trajtuar nga 14 qershori kur nisi “Euro 2024”.

Keqinformata e parë e trajtuar ishte një video që pretendohej se paraqiste tifozët e kombëtares shqiptare rrugëve të Dortmundit të Gjermanisë, përpara ndeshjes me Italinë. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info doli se videoja ishte e vjetër, nuk i paraqiste tifozët shqiptarë dhe ishte realizuar në Nuremberg e jo Dortmund. Videoja ishte publikuar në maj, ndërsa nëpërmjet “Google Maps” hibrid.info ka arritur ta gjejë lokacionin e saktë, e që s’ka të bëjë me Dortmund siç u pretendua. Videoja që u trajtua si përmbajtje e paverifikuar, në disa faqe në Facebook e portale ka marrë miliona klikime (shih këtu).

Ka pasur edhe video-materiale të tjera përmes së cilave pretendohej se paraqitnin pamje të “Tifozave Kuq e Zi” në Dortmund. Një video e publikuar në TikTok me këtë pretendim, ka marrë gati 400 mijë shikime. Edhe në këtë rast hibrid.info pati gjetur se pamjet ishin të vjetra dhe se nuk paraqisnin pamjet nga Dortmundi, por se video ishte realizuar në Tiranë (shih këtu).

Për në Dortmund ishte pretenduar edhe për nisjen e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Në video-materialin e publikuar më 16 qershor paraqitej shtatorja duke u bartur me automjet e në fakt përmbajtja ishte e vjetër. Kjo video ishte e publikuar qysh nga 4 maji, dhe e paraqiste shtatoren e Skënderbeut duke u bartur në qytetin e Gjakovës (shih këtu).

Dezinformatë ka pasur nëpërmjet një imazhi përmes së cilit pretendohej se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, janë deklaruar se do të jenë në stadium për ta mbështetur Serbinë kundër Anglisë. Hibrid.info ka gjetur se një deklaratë e tillë ka ardhur nga Abazoviq, por jo edhe nga Rama (shih këtu).

Pas ndeshjes me Italinë, nëpërmjet një video-materiali që qarkulloi nëpër media sociale u pretendua se futbollistët Jasir Asani dhe Ylber Ramadani janë tallur me mbrojtësin Elseid Hysaj që kishte ulur kokën në golin e dytë të Italisë. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pamjet janë marrë nga seanca stërvitore e Kombëtares së Shqipërisë e datës 17 qershor. Përveç që këta dy lojtarë shihen duke biseduar e qeshur mes vete, nuk ka asnjë fakt që të njëjtit janë tallur me Hysajn për veprimin që ai bëri gjatë ndeshjes ndaj Italisë, ku në rastin e golin të dytë të italianëve, kishte ulur kokën. (shih këtu)

Dezinformata që lidhen me “Euro 2024” dhe shqiptarët, pati edhe në Serbi. Zyrtari i Ministrisë së Sportit në Serbi, Urosh Pribiçeviq, ka postuar një fotografi në të cilën shiheshin 15 persona e për të cilët ka aluduar se janë arrestuar për dhunë ndaj tifozëve serbë në Gjermani. Por, pas verifikimit të fakteve doli se fotografia ishte publikuar në mars të vitit 2023. “Leicestermercury.co.uk” më 1 mars të atij viti kishte raportuar për “fytyrat e bandës që bënë më shumë se 2 milionë funte duke shitur kokainë nga bazat në qendrën e qytetit të Leicesterit”. Raportimi kishte të bënte me dënimin prej gati 90 vjetësh burgim të një grupi prej 16 personash (shih këtu).

Manipulim të fakteve dhe mashtrim ka pasur në një publikim që pretendonte se aktivisti Rron Gjinovci i ka dalë në përkrahje kombëtares serbe të futbollit. Imazhi ishte i manipuluar dhe nuk e paraqiste atë që Gjinovci e ka shkruar në të vërtetë (shih këtu).

Në një rast tjetër, është pretenduar se trajneri portugez, Jose Mourinho, ka lavdëruar në një postim në Twitter kombëtaren shqiptare për paraqitjet në “Euro 2024”. Mediat morën për bazë postimin nga një llogari me emrin “Iconic_Mourinho”, për të cilën nuk ka fakte se prapa saj qëndroni trajneri me famë. Publikimin e këtij postimi në Twitter e morën si të mirëqenë dhjetëra portale në gjuhën shqipe (shih këtu).

Share With Others

Translate »