[email protected]
Keqinformohet se presidentja Osmani u konvertua në katolike
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Kohëve të fundit, në media dhe në rrjete sociale ka zënë vend të madh çështja e konvertimeve fetare. E gjitha ka nisur para rreth një viti kur në opinion u prezantua një iniciativë me emrin “Lëvizja për braktisjen vullnetare të fesë islame”. Kjo nismë u themelua në Deçan. (këtu)

Iniciativa ngjalli jo pak reagime në opinion, duke u publikuar në rrjete sociale kohë pas kohe individë të ndryshëm që janë konvertuar nga feja islame në atë katolike. (këtu, këtu)

Ndërkaq, në këtë “valle” është futur si duket pa dashjen e saj edhe e para e shtetit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani.

Në rrjetin social “TikTok”, ka disa ditë që po krijohen përmbajtje të cilat po pretendojnë se Presidentja Osmani e ka ndërruar fenë.

Ky pretendim ka nisur që kur e para e shtetit vizitoi Letnicën e Vitisë ku mori pjesë në festën e Zojës së Madhe.

Në fjalimin e saj, presidentja Osmani ka theksuar se kjo festë i dedikohet Nënë Terezës dhe shpirtit të saj të bardhë dhe shembullit që ajo dha çdo kund në botë. Sipas saj, Letnica nuk është thjesht vetëm një fshat, por është një vend ku takohen e shenjta dhe e zakonshmja.

Çka po thuhet për presidenten Osmani?

Në “TikTok”, një profil me emrin “donald1rrufeja”, i hapur më 16 gusht, ka postuar disa video materiale me mbishkrime të ndryshme, duke pretenduar se presidentja Osmani e ka ndërruar fenë, nga myslimane në katolike.

Duke pretenduar se presidentja Osmani ka ndërruar fenë, e madje edhe emrin, ky profil thotë se e para e shtetit të Kosovës për këtë arsye edhe kishte probleme në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Profili pretendon se presidentja e ka ndryshuar emrin nga Vjosa në Gonxhe.

“Vjosa tash me emer Gonxhe”, shkruan në një prej videove të postuara në këtë profil.

“Ktu e kishte marr fen Katolike dhe per ate kishte probleme Ne Airport e kishte Ndryshuar emrin e saj”, shkruan në një tjetër video të po të njëjtit profil, duke aluduar në pengesën që iu bë presidentes Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit më 1 gusht të këtij viti. (këtu)

Pastaj, ka edhe pretendime të tilla, si: “Pse ska foto me Familie per Bajram pse?”, “Pse ska asnje foto duke hanger Bakllav pse ska asnje foto me Familie per Bajram pse?”, “Pse asnje foto duke ber Bajram pse?”.

Veç këtij profili, ka edhe të tjerë që kanë bërë publikime me të njëjtën temë.

Profili “arber112” në TikTok, po ashtu ka shpërndarë të dhëna të pakonfirmuara në lidhje me çështjen e besimit fetar të presidentes Osmani.

“Pagëzohet Presidentja e Kosovës. Lavdi Jezu Krishtit Zoti i jonë”, shkruan në një foto të shpërndarë nga ky profil. Ky postim ka ngjallur mbi 700 komente.

Çka dihet deri më tani?

Meqë besimi fetar është çështje personale, është edhe e vështirë të gjenden të dhëna publike mbi këtë çështje, si për persona privatë, ashtu edhe për ata publikë.

Kështu, as për presidenten Vjosa Osmani nuk ka informacione se cilit besim fetar i përket.

Prandaj, edhe pretendimet se e njëjta e ka ndërruar fenë, konsiderohen si të pa baza, meqë asnjë dokument që e dëshmon njërën apo tjetrën nuk ekziston në publik.

Si presidente e vendit, Osmani ka uruar vazhdimisht qytetarët e vendit për të gjitha festat fetare.

Pra, deri më tani nuk ka asnjë deklarim të vetëm të presidentes që konfirmon apo demanton pretendimin e bërë në lidhje me konvertimin e saj në fenë katolike.

Çka simbolizon Kisha e Letnicës?

Kisha e Letnicës është vendi ku Nënë Tereza e kishte filluar rrugëtimin e saj si motër misionare më 14 gusht 1927 kur edhe kremtohet festa e Zonjës së Letnicës.

“Këtë kishë e ka vizituar edhe Nënë Tereza, si e re si vajzë sepse këtu pelegrinazhi bëhet gjatë verës sepse festa e ‘Zonjës së Bekuar’ festohet me 15 gusht me dhjetëra-mijëra njerëz vijën në këtë vend, pra gushti është shumë aktiv edhe sot e kësaj dite. Dhe pikërisht në këtë kohë Nënë Tereza ka ardhur në këtë vend me familjen e vet dhe me 14 gusht të vitit 1927 në këtë kishë ajo ka vendosur të bëhet motër misionare dhe nga ky vend e ka filluar misionin e saj. Kjo për neve është shumë e rëndësishme dhe për nder të saj ne këtu në kishë e kemi një trupore të saj që na rikujton që ajo e ka vizituar këtë vend”, ka rrëfyer famullitari i kësaj kishe, Don Marjan Demaj.

Pse ky pretendim për presidenten Osmani?

Fenomeni i konvertimeve fetare ka kohë që ka nisur të jetë temë diskutimi në media e në rrjete sociale në vendin tonë.

Tema është trajtuar nëpër media me aktorë relevantë, dhe komentet nëpër rrjete sociale nuk kanë munguar.

E në rastet kur një temë ngjall reagim të opinionit të gjerë, ajo çon edhe në çrregullim informativ – rrjedhimisht nxit faqe dhe llogari në media sociale (Facebook dhe Tiktok) që të krijojnë dhe shpërndajnë përmbajtje të pakonfirmuara dhe keqinformuese, e që mund të ndikojnë në perceptimin e audiencës ndaj ngjarjes apo zhvillimit.

LEXOJENI RAPORTIN VJETOR PËR GJENDJEN E ÇRREGULLIMIT INFORMATIV NGA HIBRID.INFO

Si është e ndarë përkatësia fetare në Kosovë?

Në raportin e vitit 2023 për liritë fetare në Kosovë, qeveria e ShBA-së vlerëson se numri i përgjithshëm i popullsisë është dy milionë banorë (mesi i vitit 2023). Sipas regjistrimit të vitit 2011 (më i fundit), 95,6 për qind e popullsisë është myslimane, 2,2 për qind katolike romane dhe 1,4 për qind serbe ortodokse, me protestantë, hebrenj dhe persona që nuk përgjigjeshin ose u përgjigjën “tjetër” ose “asnjë”, që së bashku përbënin më pak se 1 për qind. Baza e të dhënave për fenë botërore e Universitetit të Bostonit për vitin 2020 vlerëson se popullsia (e Kosovës, shën.red.) është 93 për qind myslimane dhe 6 për qind e krishterë, ndërsa 1 për qind janë ateistë, agnostikë ose u përkasin feve të tjera. Vlerësimet lokale të numrit të përgjithshëm të hebrenjve sillen prej 50 deri në 150. Sipas Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, mungesa e mbështetjes financiare për regjistrim dhe bojkotimi i tij nga shumica e serbëve etnikë rezultoi në llogaritje më të ulët të pakicave etnike të të gjitha prejardhjeve fetare, përfshirë anëtarët e KOS-it, tarikatet myslimane dhe protestantët. Komunitetet e tjera fetare, përfshirë tarikatet myslimane dhe protestantët, gjithashtu i kundërshtuan të dhënat e regjistrimit, duke theksuar se nuk kishin besim në metodologjinë e regjistrimit dhe besuan që kjo rezultoi në llogaritje të ulët të anëtarëve të komuniteteve të tyre. Në gusht (2023, shën.red.), qeveria e shtyu një regjistrim të popullsisë, të planifikuar fillimisht për vitin 2021, për shkak të stafit të pamjaftueshëm dhe çështjeve politike dhe të sigurisë.

Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë, ndonëse disa janë të krishterë (ortodoksë, katolikë ose protestantë). Pothuaj të gjithë serbët e Kosovës i takojnë KOS-it. Shumica e ashkalinjve, boshnjakëve, egjiptianëve, goranëve, romëve dhe turqve janë gjithashtu myslimanë, ndërsa shumica e malazezëve etnikë dhe disa romë janë ortodoksë të krishterë. Pothuaj të gjithë kroatët etnikë janë katolikë. (këtu)

Share With Others

Translate »