Shkroi: Fatbardh Dema
Një artikull i publikuar rishtazi po pretendon se grupi terrorist i njohur si Shteti Islamik (ISIS) ka kërcënuar Kosovën dhe Shqipërinë.
Ky artikull u publikua të hënën (22 prill) nga portali “lecanton27.ch”, i cili veten e quan si gazeta e parë shqipe në Zvicër.
Por, çka nuk shkon me këtë artikull?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky lajm është i vitit 2015, atëkohë kur ISIS kishte publikuar një video duke kërcënuar disa shtete, duke i quajtur “koalicioni i djajve”, e që në mesin e tyre figuronin edhe flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë.
Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “LeCanton27.ch”:
Për këtë kërcënim të ISIS-it ishte raportuar nga 25 nëntori 2015 e tutje. Ndër mediat ndërkombëtare që ka raportuar asokohe ka qenë edhe mediumi britanik “Mirror.co.uk”. (shih këtu)
Përveç në këtë medium, hibrid.info ka arritur të gjejë edhe pamje të kësaj videoje të transmetuara në mediumin nga Korea e Jugut “Arirang News” të publikuara me datë 27 nëntor 2015. (shih këtu)
Analiza:
Portali “LeCanton27.ch” ka publikuar një lajm të vjetër të vitit 2015, ndërlidhur me kërcënimin që ISIS kishte bërë ndaj disa shteteve, në mesin e të cilëve figuronte edhe flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë.
Ky artikull u publikua me datë 22 prill të këtij viti nga portali i lartcekur, duke mos treguar se bëhet fjalë për informata rreth 9 vjet të vjetra.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.