Shkroi: Endrit Berisha
Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar se kryeministri Albin Kurti ka thënë që Kosova po planifikon të hapë fabrikën e armatimit e se marrëveshja me Turqinë është shumë afër.
Pretendimi është publikuar nga llogaria “gladiatorkosova1” në TikTok më 6 shtator.
Çka nuk shkon me këtë publikim?
“Albin Kurti: Jemi duke planifikuar qe ta hapim fabriken e armatimit në Kosovë, mrrëveshja me shtetin Turk shum afër!” është mbishkrimi që kjo llogari i ka vënë një fotografie të kryeministrit Kurti me presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë më 3 shtator.
Pretendimi për fabrikën e armatimit del të jetë i rremë. Kurti nuk e ka thënë një fjali të tillë. Kjo vërtetohet duke marrë për bazë të gjitha njoftimet publike lidhur me takimin e Kurtit me Gorgunin.
Kjo llogari i ka vënë edhe mbishkrimin “Super lajm” fotografisë.
Vegëza e publikimit të “gladiatorkosova1” në Tiktok:
Fillimisht në njoftimin zyrtar të Qeverisë për takimin thuhet se Kurti ka falënderuar Turqinë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Pjesë nga komunikata e Zyrës së Kryeministrit:
“Ai tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovës. Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia”
Për takimin Gorgun ka shkruar në llogarinë e tij në X (ish-Twitter). Ai ka falënderuar Kosovën për mikpritjen ndërsa nuk ka përmendur çështjen e prodhimit të armatimit në Kosovë.
“I kemi njoftuar për kapacitetet e Turqisë në industrinë e mbrojtjes. Kemi pasur rastin të diskutojmë për çështjet aktuale. E falënderoj kryeministrin për mikpritjen e tij”, ka shkruar Gorguni në X teksa ka publikuar edhe katër fotografi (shih këtu).
Takim me Gorgunin ka pasur edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili ka thënë se kanë diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë në mbrojtje në mes dy vendeve.
“Investimi në industrinë e mbrojtjes është njëra nga fushat për të cilën kemi diskutuar gjatë takimit dhe të cilës ne jemi duke i kushtuar vëmendje të veçantë. Në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë vazhdimisht Republika e Turqisë, kontribut për të cilin ne jemi mirënjohës e falënderues. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje të ngrisim kapacitetet e ushtrisë sonë duke bashkëpunuar me aleatët tanë. Zhvillimi i ushtrisë sonë është dhe do të jetë gjithnjë në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, këto janë vlerat tona, të cilat i kemi kultivuar dhe iu kemi qëndruar besnik gjithnjë”, ka shkruar ai në Facebook.
Për këtë takim ka shkruar në X edhe institucioni që Gorguni udhëheq. Aty është thënë se në takim janë diskutuar çështje të rëndësishme në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimet e ardhshme dhe projektet e përbashkëta.
Për më shumë, hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët “Kurti: Jemi duke planifikuar që ta hapim fabrikën e armatimit në Kosovë”. Nuk është gjetur asnjë lajm me këtë pretendim muajin e fundit (shih detajet).
Analiza:
Pretendimi se kryeministri Albin Kurti ka thënë që po planifikon hapjen e një fabrike të armatimit në Kosovë e se marrëveshja me Turqinë është shumë afër, është i rremë.
Llogaria “gladiatorkosova1” në TikTok ka përdorur fotografinë e kryeministrit Kurti dhe presidentit të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë më 3 shtator për këtë pretendim. E ky pretendim nuk mund të gjendet në asnjë burim kredibil të informacionit e as në komunikatat zyrtare të institucioneve shtetërore, krerët e të cilave kanë takuar Gorgunin.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.