info@hibrid.info
Kurti nuk u takua me Harrisin gjatë vizitës së fundit në SHBA
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet artikujve është pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me nënpresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kamala Harris, gjatë Konventës së Partisë Demokratike, të mbajtur në Chicago.

Pretendimi është publikuar nga portalet në gjuhën shqipe “botasot.info” dhe “ina-online.net” të enjten (22 gusht) dhe më pas është shpërndarë nga portale të tjera. “Kurti takohet me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris”, është titulli i artikujve në fjalë.

Çka nuk shkon me artikujt?

Hibrid.info pas verifikimit ka gjetur se kryeministri Kurti nuk ka njoftuar për asnjë takim me Harrisin në ditët e fundit, gjatë vizitës në SHBA. Madje fotografia e përdorur në këta artikuj del të jetë e vjetër.

Po ashtu artikulli përmban fjali që nuk ndërlidhen njëra me tjetrën. Fillimisht raportohet se Kurti po qëndron në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Chicago në SHBA, e më pas flitet për takimet e tij në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.


Vegëzat e artikujve të “botasot.info” dhe “ina-online.net”:

https://archive.ph/2aWa1#selection-3429.0-3432.0

https://archive.ph/8gEYs#selection-991.0-1002.0

Pas publikimit në këto dy mediume, artikulli është shpërndarë edhe në mediume tjera (“infoshqip.com”, “arberia.tv”, “ora24.tv” dhe “kosova.info”).


Artikulli vazhdon me fjalinë: “Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se ka pasur një takim me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris dhe kreun e shumicës në Senat, Chuck Shumer”.

Kjo nuk qëndron. Në faqen zyrtare, kryeministri Kurti që nga shkuarja në SHBA (19 gusht) në Konventën Kombëtare Demokratike ka bërë tri postime, të paktën deri në trajtimin e këtij artikulli. Postimi i parë ka qenë një intervistë për “Zërin e Amerikës” dhe në dy të tjerat ka njoftuar për disa takime. Megjithatë, aty nuk ka treguar se ka pasur takim me Harrisin e as Schumerin siç është pretenduar (shih këtu dhe këtu).

Fotografia e përdorur në këtë artikull del të jetë e vitit 2021. Ajo ishte shpërndarë në llogarinë e Kurtit në Facebook (shih këtu).

Për më shumë, hibrid.info ka monitoruar edhe faqen e kryeministrit, në hapësirën që shfaq njoftimet zyrtare për takimet e Kurtit dhe agjendën e tij. As aty nuk ka pasur ndonjë njoftim për takim me Harrisin (shih këtu).


Artikujt në fjalë nga “botasot.info” dhe “ina-online.net” vazhdojnë me fjalinë se Kurti është pritur në një darkë solemne nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Po ashtu aty raportohet se Kurti ka diskutuar “edhe për bashkëpunimin dhe paqen me presidentin e Malit të Zi, Milan Gjukanoviq, me anëtarin e Presidencës së Bosnjës, Zheljko Komshiq, me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe nënkryetarin e Komisionit Evropian. Josep Borrell”.

Pas verifikimit nga hibrid.info del se për këto takime Kurti kishte njoftuar në një postim në Facebook në nëntor të vitit 2021 (Shih këtu).


Kontekst:

Më 19 gusht, Qeveria e Kosovës njoftoi se kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike, që u mbajt në Chicago. Në këtë konventë, nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, zyrtarisht pranoi nominimin e Partisë Demokratike për të garuar për presidente të SHBA-ve në zgjedhjet e nëntorit.


Analiza:

Publikimi me titull “Kurti takohet me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris” nga disa mediume në gjuhën shqipe përmban pasaktësi. Kryeministri Albin Kurti nuk ka njoftuar për asnjë takim me Harrisin në Chicago, siç është pretenduar në raportim.

Po ashtu, artikulli ndërlidh pjesë të tekstit me Forumin e Paqes dhe njoftime të Kurtit në Facebook. Hibrid.info ka gjetur se ato janë të marra nga postimet e 2021-s.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto publikime si “Manipulim të fakteve” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »