info@hibrid.info
Labinot Tahiri s’e konfirmon kalimin në LDK, mohon kandidimin për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në një portal informativ në Kosovë është publikuar një artikull me pretendimin se këngëtari i njohur, Labinot Tahiri, po pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Artikulli i “Periskopi.com” u publikua dje (29 tetor), ku theksohej po ashtu se këngëtari do të jetë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet që do të mbahen vitin që vjen më 9 shkurt.

Çka gjeti hibrid.info?

Një hulumtim i shpejtë i kryer nga hibrid.info ka gjetur se artikulli në fjalë tashmë është fshirë nga ueb-faqja e këtij portali (shih këtu).

Mirëpo, në makinën e kërkimit online “Google” ende figuron vegëza e këtij artikulli të publikuar nga Periskopi (shih këtu).


Megjithatë, artikulli që pretendon se Tahiri pritet t’i bashkohet LDK-së dhe se i njëjti do të jetë në listë për deputet, u gjet i publikuar edhe në së paku një portal tjetër me emrin “Kosovalive.net”, në përmbajtjen e të cilit citohet Periskopi si burim informacioni (shih këtu).

Në këtë shkrim vërehet se informacioni është i publikuar pa u kontaktuar i apostrofuari.


Ndërkaq, këngëtari Tahiri është kontaktuar nga portali informativ “FrontOnline.net”. Këtu, ai ka mohuar pretendimin se do të jetë kandidat për deputet në këto zgjedhje (shih këtu).

‘‘Jo, jo. Nuk jam pjesë e kandidimit në këto zgjedhje, edhe ja paftë hajrin krejt popullata qatyne partive që po dojnë me i votu edhe kandidatët”, citohet të ketë thënë ai.

Ndër të tjera, Tahiri ka shtuar se nuk ka pasur “asnjë takim me LDK-në”.

Pak kontekst:

Labinot Tahiri ishte zgjedhur deputet në vitin 2017 si kandidat nga Aleanca Kosova e Re (AKR), parti e cila aso kohe garonte në një listë të përbashkët zgjedhore me LDK-në.


Analiza:

U pretendua se këngëtari Labinot Tahiri pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të garuar në listën për deputetë në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt.

Artikulli i publikuar fillimisht nga portali “Periskopi.com”, është fshirë në ndërkohë, mirëpo i njëjti ende figuron në Google. Madje, artikulli në fjalë është publikuar edhe në së paku një portal tjetër informativ në gjuhën shqipe.

E vetë Tahiri, në një prononcim për portalin “FrontOnline.net”, ka mohuar zërat se do të garojë për deputet në zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu, ai tha se nuk ka pasur asnjë takim me LDK-në.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar nga Periskopi.com si “Përmbajtje e pa verifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »