info@hibrid.info
Lajm i rremë për “deklaratën” e Kurtit për Rugovën më 1998
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Në një publikim në TikTok është pretenduar se kryeministri aktual Albin Kurti në vitin 1998 kishte deklaruar për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)” se “ata që mbështesin Amerikën dhe Rugovën janë kundër Kosovës”.

Pretendimi është publikuar nga llogaria me emrin “mentoralbodollar” në TikTok të enjten (4 korrik).

Çka nuk shkon me këtë publikim?

Në imazhin e publikuar pretendohet të ketë qenë ballina e gazetës gjermane, me një fotografi të vjetër të Kurtit, që kinse ka thënë se ata që mbështesin Amerikën dhe presidentin e Kosovës atëkohë, Ibrahim Rugova, janë kundër Kosovës. “Wer die USA und Rugova unterstuzt, ist gegen Kosovo”, është titulli në gjuhën gjermane që pretendohet të ketë qenë publikuar në gazetë. Por publikimi del të jetë i rremë.

Mbi këtë imazh është vendosur mbishkrimi “KURTI NE VITIN 1998: ATA QË MBËSHTESIN AMERIKËN DHE RUGOVËN JANË KUNDËR KOSOVËS !!! 😡 😡 😡 😡


Vegëza e publikimit të llogarisë me emrin “mentoralbodollar” në Tiktok:

https://www.tiktok.com/@mentoralbodollar/photo/7387638915513027873


Ky pretendim kishte qarkulluar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021. Atë kohë lajmi ishte demantuar nga korrespondenti i gazetës gjermane, Michael Martens, që pati thënë se ky publikim nuk është bërë kurrë në FAZ e se po bëhet me qëllime vetëm për fushatë.

Postimi i Martensit në X (ish-Twitter) më 24 janar 2021:

“Në valën e zgjedhjeve në Kosovë, po zhvillohet një fushatë e lajmeve të rreme në media të ndryshme sociale, që përfshijnë Albin Kurtin dhe ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’. Ju lutem vini re: Ky artikull nuk është shfaqur asnjëherë në FAZ. Citimi është i rremë”.

Edhe në ueb-faqen e dedikuar për arkivin e gazetës gjermane, një kërkim me titull të ngjashëm apo me emrin Albin Kurti, nuk gjen tekst të tillë. (Shih këtu)


Postimi i llogarisë “mentoralbodollar” në TikTok deri në trajtimin e rastit nga Hibrid.info, ka grumbulluar rreth 20 mijë shikime, gati 100 komente e mbi 250 pëlqime. Në postim shihet se disa nga komentet e kanë marrë të mirëqenë përmbajtjen.


Analiza:

Llogaria me emrin “mentoralbodollar” nëpërmjet një postimi në TikTok ka pretenduar se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti në vitin 1998 kishte deklaruar për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)” se “ata që mbështesin Amerikën dhe Rugovën janë kundër Kosovës”.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se pretendimi i njëjtë ishte publikuar edhe tre vjet më parë dhe se ishte demantuar nga një korrespondent i FAZ-it. Artikulli nuk mund të gjendet as në faqen e arkivit të gazetës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »