Shkroi: Sefer Zogaj
Një faqe në Tik Tok “albin_kosova0”, më 23 nëntor ka postuar një sondazh për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Sipas këtij sondazhi, prin Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje me 54.7%, pastaj Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me 18.7%. Më pas Lumir Abdixhiu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me 17.1% dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.5%.
Sondazhi në fjalë thekson se këto rezultate janë pa votat e diasporës.
Nga koha e postimit e deri më këtë moment, postimi ka marrë 633 pëlqime dhe 40 shpërndarje.

Cila është e vërteta e këtij sondazhi?
Ky sondazh nuk përmbush asnjë element të kredibilitetit, pasi nuk tregon burimin e këtij sondazhi. Po ashtu, nuk e tregon as metodologjinë si ka ardhur deri te rezultati.
Nga kërkimet e hibrid.info, ka rezultuar se ky sondazh është manipuluar me shifra, pasi origjinali është bërë në emisionin “adresa e ankesave” të Kanal 10 (shih këtu).
Faqja e Tik Tokut “albin_kosova0”, ka marrë vetëm dizajnin e sondazhit dhe ka manipuluar të dhënat, ndonëse renditja është e njëjtë. Sondazhi i datës 18 tetor 2024 në “Kanal 10” me pyetjen “Kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës”, mostrën e ka 60 respodentë përmes thirrjeve telefonike, për të rezultuar që Albin Kurti ka marrë 48% të votave, Bedri Hamza 27%, Lumir Abdixhiku 20% dhe Ramush Haradinaj 5%.

Arsyetim
Një faqe në Tik Tok “albin_kosova0”, më 23 nëntor ka publikuar një sondazh për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Kjo faqe nuk e ka treguar burimin e sondazhit, në të njëjtën kohë i ka manipuluar shifrat e sondazhit origjinal të “Kanal 10”.
Për më shumë, kjo faqe e ka risjellur një sondazh të 18 tetorit, më datën 23 nëntor.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
Ky artikull është përgatitur si pjesë e projektit ‘Kundër Dezinformimit përmes Inovacionit dhe Mësimit Eksperimental’, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Artikulli është verifikuar nga ekipi i Hibrid.info dhe ekspertët e angazhuar për të siguruar përputhjen me metodologjinë tonë për verifikimin e fakteve. Ky artikull përmban verifikime të mirëfillta, por nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Hibrid.info apo të Ambasadës së SHBA-së.