[email protected]
Manipulohet fotografia, në tavolinë ishte edhe Lajçak
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një fotografie pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka darkuar me presidentin serb, Alleksandar Vuçiq dhe se në tavolinë kishte produkte serbe.

Ky pretendim u publikua dje (16 tetor) në formë postimi në TikTok nga llogaria “tavnikcitypdk”. Në këtë postim shfaqet fotografia që paraqet Kurtin dhe Vuçiqin.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se është ndërhyrë në këtë fotografi, pasi në atë origjinalen, në tavolinë ishte edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Po ashtu, nuk ka asnjë fakt që në tavolinë kishte produkte serbe, siç pretendohet nga llogaria e lartcekur.


Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info përmes programit të automatizuar “InVID”, është gjetur se fotografia origjinale është shkrepur me 5 maj 2022, gjatë një darkë joformale në Berlin, nën organizimin e emisarit Lajçak. (shih këtu)


Hibrid.info ka trajtuar këtë përmbajtje me arsyetimin se e njëjta deri në publikimin e këtij artikulli, ka arritur t’i grumbullojë mbi 12 mijë shikime e afër 300 komente. (shih këtu)

Pra, llogaria e lartcekur ka përdorur një fotografi të vjetër, në të cilën ka ndërhyrë, duke e paraqitur rrejshëm si ngjarje aktuale.


Analiza:

U publikua një fotografi e vjetër (2022) e cila është shkrepur gjatë një darke joformale në Berlin, nën organizimin e emisarit Lajçak. Në këtë darkë i ftuar ishte Kurti dhe Vuçiq.

Përmes kësaj fotografie, një llogari në TikTok ka pretenduar se Kurti ka darkuar vetëm me Vuçiqin e që në tavolinë kishte produkte serbe. Kjo llogari ka ndërhyrë në fotografi duke e prerë pjesën ku shihej Lajçaku.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatw”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »