Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një fotografie u pretendua se pamjet paraqesin pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjatë patrullimit në Mitrovicë, duke e ndërlidhur me shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në Zubin Potok.
Ky postim u publikua në Facebook nga faqet “Prishtina News” dhe “Lajme Nga Bota”, në datat 30 nëntor dhe 1 dhjetor.
Cila është e vërteta pas kësaj fotografie?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se kjo fotografi nuk ndërlidhet me shpërthimin e 29 nëntorit që ndodhi në Zubin Potok, por e njëjta u gjet e publikuar me datë 27 nëntor, e shkrepur gjatë marshimit të kadetëve të FSK-së në rrethinën e liqenit të Batllavës.


Pas kërkimit përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka gjetur fotografinë autentike të publikuar me datë 27 nëntor nga ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci. (shih këtu)

Analiza:
Përmes një fotografie u pretendua se në të paraqiten pjesëtarë të FSK-së duke patrulluar në Mitrovicë.
Në postimet e bëra me 30 nëntor dhe 1 dhjetor, u pretendua të paraqitet si patrullim i FSK-së pas shpërthimit në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në Zubin Potok, që ndodhi më 29 nëntor.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se kjo fotografi u publikua më 27 nëntor, gjatë një marshimi të kadetëve të FSK-së në rrethinën e liqenit të Batllavës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto postime si “Përmbajtje të pa verifikuara” dhe “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.