Përgatiti: Festim Rizanaj
Në territoret ukrainase të pushtuara, forcat ruse kanë mobilizuar burime të ndryshme për të përhapur narrativat e tyre, duke përdorur taktika të ndërlidhjes së postimeve në kanalet e informacionit. Një version i fundit i operacioneve dezinformuese, i quajtur Matryoshka, synon posaçërisht kontrolluesit e fakteve që demaskojnë lajmet e rreme për Ukrainën. Sipas raportit të kompanisë për kërkime digjitale “Check First”, Matryoshka u vlerësua të jetë vetëm maja e ajsbergut e kësaj fushate dezinformuese. (Operacioni Overload) Mbingarkesa e postimeve dhe email-eve dërguar mediave, institucioneve dhe kontrolluesve të fakteve paraqet pjesën operative të kësaj fushate. Cak i kësaj fushate “Matryoshka” ka qenë edhe hibrid.info.
Fushatat e propagandës dhe dezinformimit të Rusisë janë intensifikuar me pushtimin e Ukrainës në vitin 2022. Këto fushata ndihmojnë qeverinë ruse të mbajë kontroll mbi hapësirën informative të brendshme, të krijojë përçarje në Ukrainë dhe midis aleatëve ndërkombëtarë të saj. Akademikë, qeveri, nisma gazetareske dhe të shoqërisë civile, si dhe disa platforma të mediave sociale në mbarë botën, janë përpjekur të monitorojnë, raportojnë, demaskojnë ose demantojnë dezinformimin dhe propagandën ruse që synon audienca të ndryshme. Megjithatë, taktikat e synuara për të kontrolluar mjedisin informativ në territoret ukrainase që Rusia i ka pushtuar në mënyrë të paligjshme na mësojnë shumë për mënyrën se si funksionon propaganda ruse, pasi janë territoret e pushtuara ukrainase ku Rusia ka përsosur fushatat e saj dezinformuese.
Kontrolli mbi hapësirën informative është hapi i parë në strategjinë e Rusisë për të siguruar suksesin e propagandës së saj. Në territoret ukrainase të pushtuara, forcat ruse kanë mobilizuar të gjitha burimet e mundshme, duke përdorur nga stacionet lokale të televizionit dhe gazetat deri te mikro-influencerët në rrjetet sociale, për të përhapur narrativat ruse.
Në territoret ukrainase të pushtuara, forcat ruse kanë përdorur një taktikë të ndërlidhjes së postimeve (cross-posting) ku kanalet e informacionit shpërndajnë përmbajtjet (informacionet) në disa grupe apo kanale të lajmeve në internet duke zgjeruar ndikimin e narrativave propagandistike.
Nëpërmjet kësaj taktike agjentët e dezinformimit rus targetuan kontrolluesit e fakteve, siç u identifikua për herë të parë nga projekti Bot Blocker / antibot4navalny. Një version i fundit i këtyre operacioneve, i quajtur Matryoshka, tani synon posaçërisht kontrolluesit e fakteve që demaskojnë lajmet e rreme për Ukrainën.
Çfarë është fushata Matryoshka?
I zbuluar nga grupi anonim vullnetar Antibot4Navalny në bashkëpunim me AFP në janar 2024, operacioni Matryoshka është fushatë dezinformuese pro-ruse, që përdor me zgjuarsi llogaritë e komprometuara në X (dikur Twitter) për të propaganduar narrativa mashtruese. Kjo fushatë synon mediat, personalitetet, institucionet dhe kontrolluesit e fakteve, duke angazhuar gazetarët në X me perspektiva pro-ruse dhe duke minuar Ukrainën, për të ngatërruar diskursin publik dhe për të përhapur dezinformata.
Fushata përdor një rrjet llogarish që shfaqin tipare të sjelljes joautentike. ‘Llogaritë joautentike’ përpiqen të mashtrojnë njerëzit për identitetin ose origjinën e entitetit që përfaqësojnë. Nuk është e qartë se si janë marrë llogaritë e përdorura në fushatë. Asnjë nga llogaritë nuk duket se sillet në mënyrë të ngjashme me botët, dhe me shumë gjasa janë të operuara nga njerëz.
E quajtur Matryoshka (“kukulla fole” ruse), fushata përfshinte llogari të mundshme të operuara nga njerëz në Twitter/X që citonin njëra-tjetrën në postime e që përmbanin lidhje me pretendime të rreme dhe mbushnin ekipet e vogla të kontrolluesve të pavarur të fakteve me kërkesa për t’i verifikuar këto pretendime. Në vend që të shpërndajnë vetë lajmet e rreme, llogaritë ri-shpërndajnë postime nga llogaritë e tjera në të njëjtin rrjet dhe i dërgojnë ato drejtpërdrejt në faqet e kontrolluesve të fakteve. Këto “ri-shpërndarje” formulojnë një kërkesë për kontroll të fakteve. Llogaritë simulojnë sjelljen e përdoruesit tipik të mediave sociale, i cili mund të jetë skeptik ndaj një lajmi dhe do të donte opinionin e një burimi të besueshëm për kontrollin e fakteve. Megjithatë, ky proces i ri-shpërndarjes përsëritet nga llogaritë e tjera në rrjet, në mënyrë të pafund. “Grumbullimi” i postimeve që përmbajnë raporte të rreme të lajmeve është i ngjashëm me funksionimin e kukullave Matryoshka, nga ku fushata merr emrin e saj.
Si aktive në platformën X që nga të paktën shtatori i vitit 2023, fushata “Matryochka” karakterizohet nga një mënyrë funksionimi me dy hapa:
• grupi i parë i llogarive, i quajtur “mbjellësit (seeders)”, publikon përmbajtje false në platformë;
• një grup i dytë llogarish, i quajtur “citues (quoters)”, më pas shpërndan postimin në përgjigje të postimeve të mediave, personaliteteve dhe njësive të kontrollit të fakteve.
Matryoshka shpërndan tri lloje përmbajtjesh që imitojnë median, institucionet dhe OJQ-të:
- Video-raporte me përmbajtje mashtruese që përdorin statutin dhe fontin grafik të medias, institucionit ose organizatës. Këto raporte të rreme dyshohet se janë prodhuar duke përdorur databazë imazhesh dhe muzikë pa pagesë;
- Pamje të rreme të ekranit që paraqesin një ekstrakt nga një artikull, një “story” në Instagram ose një sekuencë e shkurtuar në YouTube nga një media, një organizatë ose një personalitet;
- Dokumente zyrtare false që uzurpojnë kartën grafike të një enti qeveritar.
Operacionet Matryoshka zakonisht përfshijnë dy deri në tri llogari që shpërndajnë përmbajtje në X çdo disa minuta. Pas 30 deri në 45 minutash, dy deri në tri llogari të tjera fillojnë të ri-shpërndajnë postimet nga llogaritë e para, duke iu përgjigjur postimit të fundit të objektivit. Cituesit shpesh shtojnë një tekst, një emoji (emotikon) ose thjesht një përmendje të objektivit, dhe kjo shtesë është unike për çdo operacion dhe citim. Kjo fazë e dytë zakonisht zgjat disa orë, me një interval mesatar prej 45 sekondash midis çdo citimi.
Sipas grupit aktivist, arkitektët janë agjentë pro-rusë që përdorin me mjeshtëri platformën X për të përhapur dezinformatat e tyre. Objektivat e tyre kryesore janë mediat perëndimore dhe opinioni më i gjerë publik, me fokus të veçantë në gërryerjen e mbështetjes për Ukrainën. Metodat e përdorura u bëjnë jehonë taktikave historike të inteligjencës ruse, siç ilustrohet nga “sistemi i matricës” i përshkruar në “sistemin Matryoshka”, ose dezinformimi i përsosur.
Seti i kukullave Matryoshka, që zakonisht ka pesë shtresa që shtrihen nga një kukull e fortë e brendshme, simbolizon strategjinë e Rusisë. Rusia kombinon luftën politike (PW) dhe luftën informative (IW) me veprime ushtarake të hapura dhe të fshehta për të përfituar në mënyrë të pamjaftueshme, duke shfrytëzuar dobësitë dhe duke arritur qëllimet e saj. Shtresa më e brendshme përfaqëson manovrat politike dhe ligjore, ndërsa shtresat e tjera përfshijnë veprime ushtarake të hapura, operacione të fshehta, luftë informative dhe, në fund, luftë politike. Çdo shtresë mbulon shtresën tjetër, duke ia mundësuar Rusisë të manovrojë në mënyrë strategjike. Kjo përfshin manipulimin e informacionit për të krijuar kaos dhe konfuzion, duke dobësuar përgjigjet e entiteteve si NATO.
Bazuar në gjetjet Antibot4Navalny dhe AFP në platformën X, kompania digjitale “Check First” zhvilloi një hulumtim më të zgjeruar të fushatës Matryoshka, duke shpalosur strategjinë e funksionimit të saj si “operacion i mbingarkimit”.
Operacioni Overload (Operacioni Mbingarkimi)
Më 4 qershor (2024), kompania finlandeze e kërkimit digjital “Check First” publikoi një raport mbi atë që e quajti “Operacioni Overload”. Në këtë raport tregohet se kompania u mbështet në gjetjet e Antibot4Navalny dhe AFP në X për të zgjeruar hetimin. Në këtë mënyrë, ata zbuluan se platformat për kontroll të fakteve dhe mediat i marrin këto kërkesa edhe me email.
Emri që “Check First” i dha këtij operacioni rrjedh nga ky “akumulim” kërkesash për verifikimin e informacionit, i cili krijon iluzionin se është një përmbajtje virale dhe se, për rrjedhojë, duhet mohuar për të ndaluar përhapjen e tij.
Duhet theksuar se përmbajtja e shpërndarë ndjek strategjinë e njohur si “Operacion Overload”, e cila konsiston në imitimin dhe “klonimin” e mediave të njohura për përhapjen e dezinformatave. Në këtë mënyrë dhe të lidhura me konfliktin në Ukrainë, ata kërkojnë të instalojnë narrativa që dëmtojnë imazhin e vendit, politikanëve apo edhe të refugjatëve.
Kjo strategji e ndërlikuar demonstron një përpjekje të qëllimshme për të rritur shtrirjen e perceptuar të përmbajtjes së rreme, duke synuar të krijojë përshtypjen midis kontrolluesve të fakteve dhe gazetarëve se ajo përshkon natyrshëm hapësirat e ndryshme online si rezultat i viralitetit të saj “organik”. Formatet e ndryshme të videove dhe imazheve shpesh postohen së bashku për të ndërtuar një informacion të rremë, ndonjëherë brenda një periudhe të shkurtër kohe. Kjo taktikë u quajt “përzierje e përmbajtjes” (content amalgamation).
Pas publikimit të raportit të “Check First”, Matryoshka u vlerësua të jetë vetëm maja e ajsbergut e kësaj fushate dezinformuese. Për shkak se shifrat e postimeve në Twitter dhe email-eve të dërguara janë marramendëse, Amaury L. nga CheckFirst, mbingarkesën (Operacionin Overload) e vlerëson si fryrje të Matryoshkas.
Katër lloje të përmbajtjes që synojnë audiencat e BE-së, të gjetura nga raporti.
- Video të manipuluara me logot e mediave të besueshme ose organizatave legjitime. Këto video janë zakonisht të shkurtra, deri në 2 minuta, të titruara në gjuhë të ndryshme (kryesisht gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht). Ato përmbajnë muzikë në sfond, shpesh të marrë nga bibliotekat pa të drejta autori. Videot krijohen në formate vertikale ose horizontale, ndonjëherë duke imituar formatin e YouTube Shorts. Ato shpesh përfshijnë “stock footage,” të marrë përmes licencimit ose nga bibliotekat pa të drejta autori, ose pamje të ripërdorura nga video ekzistuese, kryesisht të marra nga YouTube.
- Foto të manipuluara të grafiteve, që pretendohet se janë bërë në vende të ndryshme në qytetet evropiane. Imazhet e grafiteve janë të mbivendosura në mënyrë të rreme mbi foto autentike të peizazheve urbane. Shumica e këtyre fotove vijnë nga vende në Gjermani dhe Francë.
- Video/foto të manipuluara që imitojnë “Instagram Stories”, duke shtirur llogaritë e figurave publike, të krijuara ekskluzivisht në format vertikal për të replikuar ndërfaqen (interface) e Instagramit.
- Pamje të manipuluara të artikujve, të dizajnuara për të imituar ndërfaqen e faqeve të besueshme të lajmeve, duke mashtruar audiencën që të besojë se përmbajtja është botuar ligjërisht nga këto media.
Të gjitha këto lloje përmbajtjeje përhapin narrativat më të përhapura anti-Perëndim, anti-Ukrainë, të cilat përputhen me përpjekjet dezinformuese të Kremlinit në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë denigrimin e ukrainasve ose refugjatëve ukrainas, talljen ose përqeshjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy ose ushtrinë ukrainase, minimin e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, përqeshjen e organizatave perëndimore si NATO dhe kritikimin e liderëve politikë nga Perëndimi.
Teknika që përdoret: për secilën narrativë, një sërë përmbajtjesh të manipuluara fillimisht postohen në kanalet Telegram në gjuhën ruse, pastaj publikohen në faqet e internetit të njohura që janë të lidhura me Kremlinin. Hapi tjetër ndodh në X, ku operativët përhapin përmbajtjen e rreme dhe angazhohen me mediat, institucionet dhe kontrolluesit e fakteve. Faza e fundit është një fushatë e koordinuar me email, që i drejton marrësit te përmbajtja e postuar më parë në Telegram, X, ose në faqet e kontrolluara të internetit.
Qëllimet e Operacionit Overload:
Nënshtrim Strategjik:
- Qëllimisht dorëzojnë informacione kontroverse ose të rreme tek kontrolluesit e fakteve dhe mediat.
- Synojnë që këto entitete të mbulojnë përmbajtjen, duke e përhapur atë më tej – edhe nëse përgënjeshtrohet.
Amplifikimi Përmes Kontroversës:
- Përdorin debatin dhe mbulimin mediatik që pason për të rritur dukshmërinë e narrativës.
- Diskutimi publik, edhe në kontekstin e përgënjeshtrimit, shërben për të publikuar pretendimet e rreme.
Shfrytëzimi i Efektit Streisand (përpjekjeve për të fshehur, hequr ose censuruar informacionin):
- Shkaktojnë këtë fenomen ku përpjekjet për të përgënjeshtruar ose censuruar informacionin vetëm rrisin ekspozimin e tij.
Karremi i Besueshmërisë:
- Përdorin përfundimet e nuancuara nga kontrolluesit e fakteve (p.sh., “pjesërisht e vërtetë”) për të pretenduar besueshmëri për fushatat mashtruese.
Shpërqendrimi i kontrolluesve të fakteve:
- Mbingarkojnë kontrolluesit e fakteve me pretendime të parëndësishme ose mashtruese për të vonuar ose holluar përgjigjet ndaj dezinformimit më të rëndësishëm.
Operacioni aktual ndan ngjashmëri në përmbajtje me fushatën pro-Kremlin Doppelgänger. Të dyja operacionet shpërndajnë përmbajtje të manipuluar (video, imazhe) të markuar me logot e mediave të besueshme perëndimore ose organizatave të tjera të besueshme, duke u përpjekur të mashtrojnë audiencën që të besojnë se po marrin informacion nga burime të besueshme. Megjithatë, ndryshe nga Doppelgänger, aktorët pas operacionit aktual nuk drejtojnë trafikun në faqe interneti të klonuara, por përqendrojnë gjithë konsumimin e mediave te pjesët individuale të përmbajtjes.
Hibrid.info në mesin kontrolluesve të fakteve të targetuar
Në një raport të publikuar më 10 qershor, shërbimi i qeverisë franceze Viginum raportoi se fushata keqdashëse, e nisur në shtator të 2023 është intensifikuar sivjet në pranverë.
Ky modus operandi, i njohur në burime të hapura si “Matryoshka”, sipas Viginum, “shpërndan përmbajtje të rreme (raporte lajmesh, grafite, meme, etj.) në mënyrë të koordinuar në hapësirën e reagimit të publikimit të llogarive X të mediave, personaliteteve dhe platformave që kontrollojnë faktet nga mbi gjashtëdhjetë vende”.
Operatorët Matryoshka përditësojnë rregullisht listën e objektivave të tyre, përfshirë media, personalitete dhe platformat për kontroll të fakteve. Shërbimi francez Viginum ka identifikuar më shumë se 500 prej tyre, përfshirë edhe platformat për kontroll të fakteve nga Ballkani, si Hibrid.info (Kosovë), Istinomjer (Bosnja) dhe Vistinomer (Maqedonia e Veriut).
Pra, ndër platformat për kontroll të fakteve të targetuar nga “Matryoshka” është edhe hibrid.info, si platformë për kontrollimin e fakteve.
Muajve të fundit, hibrid.info ka pranuar disa email-e që kërkojnë verifikimin e artikujve të ndryshëm, kryesisht atyre që lidhen me luftën në Ukrainë.
Të gjitha email-et janë nga shërbimi i email-ve të Google, i quajtur “gmail”, ndërsa referimet janë në gjuhë angleze. Edhe emrat e përdorur si dërgues ngjasojnë në anglisht.
Përmbajtjet e dërguara kanë qenë imazhe me grafitë të ndryshme kryesisht lidhur me Ukrainën, dhe autorët e këtyre email-eve kërkojnë të verifikohen këto përmbajtje të dërguara që supozojnë se i kanë gjetur në internet.
Hibrid.info, nga të gjitha email-et e pranuar ka verifikuar 8 prej tyre përmes platformës për verifikim të email-eve, “cleantalk.org”, ku dy prej tyre kanë rezultuar të jenë të rremë. (këtu, këtu)
Taktikat, teknikat dhe procedurat
Shërbimi i qeverisë franceze Viginum, pas një analize të thellë të fushatës Matryoshka, ka përcaktuar taktikat, teknikat dhe procedurat e funksionimit:
Tabela e taktikave, teknikave dhe procedurave të fushatës Matryoshka, i përkthyer në shqip. (Burimi: raporti nga Viginum)