Shkroi: Etrit Rexhepi
Me anë të një imazhi është pretenduar se 72% e qytetarëve i besojnë Qeverisë në Kosovë.
Ky imazh është publikuar dje (23 prill) në TikTok nga llogaria “albinkurti_kryeminister”.
Por, ajo çka është gjetur nga hulumtimi i hibrid.info, është se në imazh është ndërhyrë duke manipuluar shifrën që tregon për përqindjen e shprehur në fotografi.
Vegëza e imazhit të publikuar nga llogaria “albinkurti_kryeminister” në TikTok:
https://www.tiktok.com/@albinkurti_kryeminister/photo/7360811746313080070

Pasi që imazhi në fjalë përmban logon e Lëvizjes Vetëvendosje, duket se fotografia është e publikuar në rrjetet sociale të këtij subjekti politik. Hibrid.info ka kontrolluar në faqen zyrtare në Facebook të LVV-së dhe ka gjetur imazhin në fjalë (shih këtu).

Fotografia e publikuar më 19 korrik të vitit 2023, në faqen zyrtare të subjektit qeverisës në Kosovë, tregon se 56% e qytetarëve i besojnë Qeverisë së Kosovës, çka tregon se imazhi i publikuar në TikTok është i manipuluar.
Për ndërhyrjen në këtë fotografi tregohet edhe në këtë publikim, ku tregohet se është përdorur aplikacioni për editimin e fotografive dhe videove, “CapCut”.
Shih fotografinë:

Po ashtu, bazuar edhe në faktin se në fotografi tregohet se burimi i këtyre të dhënave është “Balkan Public Barometer” hulumtim i publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (këtu), hibrid.info ka verifikuar dhe ka vërtetuar gjetjet e këtij hulumtimi, të cilat përputhen me shifrën e publikuar në imazhin e publikuar në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se sipas “Balkan Public Barometer”, 72% e qytetarëve në Kosovë janë shprehur se i besojnë Qeverisë së Kosovës, nuk është i saktë.
Hibrid.info ka gjetur se teksti përmes së cilit është paraqitur pretendimi, është manipuluar. Imazhi origjinal tregon për 56% të besimit qytetar ndaj Qeverisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.