[email protected]
Me anë të një imazhi të manipuluar pretendohet rrejshëm se AAK dhe LDK kanë dërguar në Kushtetuese vendimin për rritjen e pagës minimale
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh me mbishkrimin ku pretendohet se dy subjektet politike opozitare në vend, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese rritjen e pagës minimale.

Përmbajtja është publikuar dje (29 gusht) nga një llogari në TikTok me emrin “toke.ilirodardane”, përmes një imazhi nga një artikull i mediumit “Telegrafi.com”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se artikulli i mediumit Telegrafi.com është publikuar vitin e kaluar dhe se në imazhin e publikuar në TikTok janë vërejtur ndërhyrje në titullin e tij.


Vegëza e imazhit të publikuar nga llogaria “toka.ilirodardane” në TikTok:

https://archive.is/lGCmu


Pas hulumtimit me anë të makinave të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin origjinal të publikuar në portalin “telegrafi.com” me datë 21 korrik 2023. (shih këtu)

Artikulli në fjalë është publikuar vitin e kaluar dhe është titulluar: “Rritja e pagës minimale, AAK dërgon në Gjykatën Kushtetuese ligjin”.

Kjo do të thotë se në imazhin e publikuar në TikTok është ndërhyrë për të ndryshuar kuptimin e informacionit të publikuar.


Hibrid.info ka gjetur gjithashtu në llogarinë e deputetit Besnik Tahiri në Facebook postimin që vërteton se një veprim i tillë nga AAK ka ndodhur më 21 korrik 2023 (shih këtu).


Gjetjet e tjera tregojnë se Gjykata Kushtetuese kishte publikuar më 26 korrik 2024 vendimin për kërkesën e parashtruar nga AAK. Sipas këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë të drejtë Qeverisë për këtë ligj dhe kishte hedhur poshtë kërkesën e subjektit opozitar (shih këtu).

Në bazë të këtij ligji, Qeveria e Kosovës, më 28 gusht, mori një vendim për rritjen e pagës minimale; vendim të cilin u pretendua pasaktësisht se e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese LDK dhe AAK (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se LDK dhe AAK kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për rritjen e pagës minimale është i pasaktë.

Hibrid.info ka zbuluar se, në fakt, vetëm AAK kishte dërguar në Kushtetuese ligjin që rregullonte pagën minimale vitin e kaluar.

Publikuesi i këtij pretendimi gjithashtu ka ndërhyrë në një artikull të mediumit Telegrafi.com, të cilin e ka përdorur për ta paraqitur pretendimin.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »