[email protected]
Me pamje të vjetra, pretendohet rrejshëm për snajperistë të Policisë së Kosovës në veri
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar për pozicionim të snajperistëve të Policisë së Kosovës në veri dhe për shtim të numrit të policëve në atë pjesë. Sipas pretendimit, të gjitha këto janë bërë pas kërcënimeve nga Beogradi për luftë.

“Lajmi Fundit: Pas kërcënimeve nga Beogradi për luftë, Policia e Kosovës i pozicionon snajperistët në veri të Kosovës dhe numër i madh policor shtohen në atë pjesë”, është përshkrimi që faqja “Lajme Nga Bota” e ka shoqëruar me një fotografi të një polici të Kosovës. Postimi u bë më 13 shtator.

Çka nuk shkon me publikimin?

Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia e përdorur në këtë publikim është e vjetër. Pretendimi se Policia ka shtuar forcat në veri është i pabazuar në fakte.


Vegëza e publikimit të “Lajme Nga Bota” (shih këtu)

Publikimi ka marrë mbi 180 pëlqime e tetë komente, në bazë të të cilave lihet të kuptohet se e kanë marrë si të mirëqenë përmbajtjen.


Hibrid.info, duke përdorur programin e automatizuar “InVID”, ka gjetur se fotografia është marrë nga një video e cila ishte realizuar në shtator të vitit 2021, kur në veri ishin vendosur barrikada në tensionet për targat.

Video me pamjen e njëjtë, siç është gjetur nga programi “InVID”, ka qarkulluar në median sociale “reddit.com” që nga 22 shtatori i vitit 2021. E pamja e njëjtë, pa mbishkrime në video, është publikuar edhe më 1 gusht 2022 nga faqja “Lol Albania”.


Për pretendimin se është shtuar numri i forcave policore në veri dhe se janë vendosur snajperistët, hibrid.info ka përdorur motorin online të kërkimit “google.com” për të gjetur ndonjë burim kredibil informacioni. Por pas kërkimit me fjalët kyçe “Policia e Kosovës, snajperistët, veri”, nuk është gjetur asnjë lajm i tillë i publikuar në javën e fundit (shih këtu).

Për më shumë, në faqen e Policisë së Kosovës në Facebook nuk mund të gjendet ndonjë njoftim i ditëve të fundit për shtim të pranisë në komunat në veri (shih këtu).


Analiza:

Është pretenduar pa fakte se Policia e Kosovës ka pozicionuar snajperistët në veri të Kosovës pas, siç thuhet, kërcënimeve për luftë nga Serbia. Po ashtu është pretenduar për shtim të forcave policore në veri.

Përpos që nuk është bazuar në fakte, llogaria “Lajme Nga Bota” ka përdorur fotografi të marra nga viti 2021 për këtë pretendim.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »
1406