info@hibrid.info
Muaji maj: Armatosja e FSK-së, konfliktik Izrael-Hamas dhe incidentet në vendbanimet më shumicë serbe janë temat mbi të cilat u keqinformua më së shumti, FSK dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë institucionet, Albin Kurti dhe Edi Rama figurat më të përfolura
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Armatosja e FSK-së, konfliktik Izrael-Hamas dhe incidentet në vendbanimet më shumicë serbe janë temat kryesore për të cilat u keqinformua gjatë muajit maj 2024.

Bazuar në gjetjet dhe trajtimet e përmbajtjeve keqinformuese gjatë muajit maj rezulton të jenë publikuar më së shumti përmbajtje keqinformuese në fushën e sigurisë. Keqinformatat nga fusha e sigurisë pasohen nga, përmbajtjet keqinformuese nga politika dhe socialja që më së shumti u përdorën për të keqinformuar.

Si rezultat i gjetjes dhe trajtimit të 73 përmbajtjeve keqinformuese të publikuara në media reale, media sociale dhe portale të dyshimta, përmbajtjet mashtruese dhe dezinformatat bashkëndajnë dominimin në eksoferën keqinformuese, pasuar nga përmbajtjet e paverifikuara dhe artikujt clickbait.  

Në mesin e 11 keqinformatave ku janë përfolur 6 institucionet, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë janë ato që kanë mbizotëruar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (3 keqinformata) dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama (3 keqinformata) janë dy figurat më të përfolura në 24 përmbajtjet keqinformuese ku janë përfolur personalitetet.

Këto të dhëna, dolën nga raporti monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin maj të vitit 2024 tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info. Raporti është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endowment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.

Në gjetjen dhe trajtimin e 73 përmbajtjeve gjatë muajit maj 2024, është evidentuar se përmbajtjet mashtruese dhe dezinformatat kanë qenë dy kategoritë kryesore të keqinformimit, secila me nga 19%. Kjo ka ndodhur për shkak të shumësisë së temave nga fusha e politikës dhe sociale që janë vlerësuar si dezinformata apo mashtrime. Këto kategori pasohen nga përmbajtjet e paverifikuara me 16%, clickbait me 12%, dhe teoritë konspirative e lajmet e rreme me nga 10%.

Pas zyrtarizimit të blerjes së dronëve “Bayraktar” nga Turqia, në media sociale filluan të qarkullojnë spekulime për furnizime të tjera me armatime, përfshirë artileri të rëndë si helikopterë, tanke dhe aeroplanë. Pretendimet e pabaza për furnizimin e FSK-së dominuan keqinformimet e muajit maj. Ndërkohë, konflikti Izrael-Hamas, i nisur më 7 tetor 2023, vazhdoi të jetë burim i rëndësishëm keqinformimi, me shumë përmbajtje të paverifikuara dhe dezinformata. Po ashtu, incidente në vendbanimet serbe në Kosovë u shfrytëzuan nga disa kanale për të krijuar teori konspirative.

Kryesisht përmbajtjet e paverifikuara, dezinformatat dhe lajmet e rreme për tema si, armatosja e FSK-së, vendbanimet me shumicë serbe, konflikti Izrael-Hamas, veriu, armatosja e Policisë së Kosovë, etj., ka bërë që fusha e sigurisë të prijë gjatë muajit maj me 29%. Siguria pasohet nga shumëllojshmëria e temave nga fusha e politikës, përfshirë masat e BE-së ndaj Kosovës, njohjen e Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi, etj., e që janë vlerësuar si dezinformata dhe mashtrime dhe janë publikuar në media sociale dhe media tradicionale. Përmbajtjet mashtruese për dhënie kredish, produkte që pretendohet se shërojnë sëmundje të caktuara, çmimin e bukës, mundësi punësimi, etj., nga fusha sociale, janë vlerësuar kryesisht si mashtrime dhe dezinformata të publikuara në media sociale dhe janë radhitur si e treta në kategorizimin e fushave.

Ashtu si në muajin e kaluar (prill), keqinformimet e publikuara në media sociale kanë vazhduar të dominojnë edhe gjatë këtij muaji (maj), me rritje të lehtë prej 1% (nga 66% në prill 2024 në 67% në maj 2024). Kjo mund të shpjegohet nga fakti se të gjitha përmbajtjet mashtruese dhe lajmet e rreme, si dhe një pjesë e konsiderueshme e dezinformatave dhe përmbajtjeve të paverifikuara, janë publikuar në media sociale. Gjatë muajit maj, 57% e përmbajtjeve keqinformuese në mediat sociale janë publikuar në Facebook, ndërsa 33% në TikTok, dhe 10% në platformat tjera (X, Instagram, Youtube, Telegram).

Në 24 përmbajtjet keqinformuese ku janë përfolur personalitetet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përfolur në 3 raste, ndërsa ai i Shqipërisë, Edi Rama, në 3 raste. Kurti është akuzuar për pretendime të konspiruara dhe të rreme nga mediat në gjuhën serbe, duke përfshirë ofrimin e rremë të tempujve serbë në Kosovë te Vatikani dhe pretendimin se ai po e kriminalizon pjesën veriore të vendit. Ndërkohë, Rama është akuzuar për deklarata të rreme  si dhe i është shtrembëruar një pozicion i tij lidhur me konfliktin izraelito-palestinez, e që u interpretua si qortim i kryeministrit shqiptar ndaj Sekretarit amerikan, Antony Blinken. Po ashtu u pretendua rrejshëm se Rama ka thënë Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën; si dhe pati dezinforamtë në gjuhën serbe në Telegram se Edi Rama ka mbajtur tubim në Greqi pa pëlqimin e autoriteteve greke.

Share With Others

Translate »