Shkroi: Festim Rizanaj
Mediumi serb “Politika” ka publikuar disa artikuj që përpiqen të krijojnë një narrativë të rreme, duke e paraqitur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si faktor destabilizues në rajon. Sipas këtyre shkrimeve, Kurti gjoja po harton një strategji për të provokuar incidente të armatosura në veri të vendit, me synimin për të nxitur destabilizim dhe për të siguruar përfitime politike të brendshme. Ndër të tjera, pretendohet se sulmi me bombë ndaj zyrës postare në Zveçan ka qenë pjesë e një aksioni të koordinuar nga institucionet kosovare, në bashkëpunim me një shërbim inteligjent nga Europa.
Këto pretendime nuk mbështeten në fakte të verifikueshme dhe nuk ofrojnë prova të qëndrueshme, ato përbëjnë një rrezik të mundshëm për përhapjen e narrativave të rreme
Narrativi se Kurti po përgatit një strategji për të shkaktuar incidente të armatosura në veri
E përditshmja serbe Politika ka publikuar një artikull (31 mars) të firmosur nga Dejan Spalović me titullin “Lufta e kontrolluar kundër Serbisë në veri të Kosovës”. Artikulli pretendon se Kurti po përgatit një strategji për të shkaktuar incidente të armatosura në veri me qëllim destabilizimin dhe sigurimin e mbështetjes politike të brendshme.
Po ashtu, në artikull ngrihen pretendime për skenarë të “flamurit të rremë (False Flag)”, duke sugjeruar se Kosova mund të provokojë incidente për t’ia atribuuar Serbisë dhe për të justifikuar veprime të mëtejshme ushtarake. Sipas artikullit, Kurti nuk ka hequr dorë nga opsioni luftarak dhe planifikon të shkaktojë një “luftë të kontrolluar” në veri të Kosovës, një ide e paraqitur në Prishtinë në muajin shkurt, pas dështimit të Vetëvendosjes në zgjedhje. Në artikull spekulohet se ai, gjatë një takimi me bashkëpunëtor perëndimor në zyrë të Qeverisë, ka kërkuar nga shërbimet e sigurisë të hartojnë skenarë për një veprim të njohur si “flamur i rremë”.
Në kontekstin politik dhe ushtarak, një sulm “flamur i rremë” mund të jetë një incident i krijuar me qëllim për të akuzuar një kundërshtar dhe për të siguruar mbështetje për një kundërpërgjigje. Ky koncept është shpesh subjekt i teorive konspirative dhe propagandës.
Nuk ka asnjë informacion të verifikuar për një takim të tillë të përmendur në artikull, dhe gazeta nuk ofron asnjë fakt të mbështetur këtë pretendim. Spekulimet që flasin për një “luftë të kontrolluar” në veri të Kosovës nuk janë të mbështetura me prova. Po ashtu, pohimet për një takim të mundshëm me bashkëpunëtorë perëndimorë dhe kërkesën për të hartuar skenarë të veprimit “flamur i rremë” mbeten të pasiguruara dhe të pabazuara.

Narrativi se Kosova po e humb mbështetjen ndërkombëtare dhe SHBA do të tërhiqet nga rajoni
Artikulli gjithashtu pohon se Kosova po humb mbështetjen ndërkombëtare, me BE-në dhe SHBA-në që po distancohen dhe zvogëlojnë përkrahjen financiare dhe diplomatike për qeverinë e Kurtit, ndërsa spekulohet se SHBA mund të ndryshojë strategjinë e saj të angazhimit ushtarak dhe të tërhiqet nga rajoni, duke krijuar një vakum të rrezikshëm.
Për më shumë se 25 vjet, KFOR ka ofruar siguri në Kosovë, por me sinjalet nga zyrtarët amerikanë për një zvogëlim të mundshëm të pranisë ushtarake në Evropë, lindin pyetje nëse ushtarët amerikanë do të mbesin në KFOR. Në fillim të muajit mars, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi se pozicioni i forcave amerikane në Kosovë ka mbetur i pandryshuar. (këtu)
Gjenerali amerikan Christopher Cavoli, Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë, raportoi para Senatit amerikan për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën si dy vendet me shqetësime të sigurisë, ndërsa theksoi se SHBA ka dislokuar forca rezerve në Kosovë për të përballuar tensionet e rritura dhe ka synuar zgjerimin e forcave të përhershme në këtë vend. (këtu)
Së fundmi, Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se janë dislokuar rreth 270 paqeruajtës nga rezervat operacionale të Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë. (këtu)
Fillimisht, misioni i KFOR-it përfshinte rreth 50.000 trupa, duke arritur më vonë në rreth 4.600. Më shumë se gjysma e forcave vijnë nga Italia, Shtetet e Bashkuara, Hungaria dhe Turqia. NATO ka rritur praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veri, ku shumica e popullsisë është serbe. (këtu)
Prandaj, nuk është e vërtetë që Kosova po humb mbështetjen ndërkombëtare nga BE-ja dhe SHBA-ja, dhe se SHBA po tërhiqet nga angazhimi ushtarak në rajon, duke krijuar një vakum të rrezikshëm.
Narrativi se sulmi në Postën e Kosovës në Zveçan është një operacion sekret i Kurtit
Sipas një artikulli të publikuar më 3 prill nga e përditshmja serbe “Politika.rs”, sulmi me bombë ndaj zyrës postare në Zveçan është paraqitur si pjesë e një operacioni të organizuar nga institucionet e Prishtinës, me ndihmën e një shërbimi inteligjent evropian, me qëllim krijimin e një krize artificiale në veri të Kosovës. Artikulli pohon gjithashtu se ngjarjet e fundit ndaj serbëve në rajon janë pjesë e një “skenari të koordinuar nga një dorë e vetme” që kontrollon ngjarjet për qëllime politike, duke përmendur si shembull vendosjen e eksplozivit në kanalin Ibër-Lepenc, për të cilën Prishtina kishte akuzuar serbët.
Megjithatë, ky artikull nuk ofron asnjë fakt apo dëshmi konkrete për të mbështetur këto pretendime, dhe mbetet në kuadrin e një narrative konspirative dhe të pabazuar. (këtu)
Objekti i Postës së Kosovës në komunën e Zveçanit u bë shënjestër e një sulmi me granata dore të llojit M-75 gjatë mesnatën e së martës (1 prill). Një nga granatat shpërtheu në momentin e sulmit, ndërsa tjetra u neutralizua më vonë në mënyrë të kontrolluar nga njësitë e Policisë së Kosovës. Nga ky incident nuk pati të lënduar, ndërsa janë raportuar vetëm dëme materiale. (këtu)
Në një postim në Facebook, Policia e Kosovës tha se një ose disa persona të panjohur kanë hedhur granata dore dhe se njësia anti-terror është duke “punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi”. Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, që është udhëzuar ta inicojë rastin si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se autoritetet janë duke hetuar intensivisht sulmin me granata në Zveçan, por ende nuk ka informacion të detajuar për autorët. “Nuk mund të jap detaje për personat apo grupin përgjegjës për hedhjen e granatave, pasi kjo çështje është ende në fazën e hetimeve, por mund të konfirmoj se po e trajtojmë me seriozitet të plotë”. (këtu)
Dega e Postës së Kosovës në Zveçan u hap më 27 mars, në të njëjtën ditë kur u hap edhe në Zubin Potok – të dyja komuna në veriun e Kosovës të banuara me shumicë serbe.
Vitin e kaluar (2024), në Zveçan janë realizuar sulme me mjete shpërthyese ndaj dy objekteve: stacionit të Policisë dhe ndërtesës të Komunës.


Në veri të Kosovës, tensionet janë shtuar sidomos pas nisjes së zbatimit të vendimit për targat, duke sjellë rritje të sulmeve ndaj institucioneve dhe mbyllje të shumë strukturave paralele serbe. Si pasojë e tensioneve të vazhdueshme, që lidhen me përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë sovranitetin në këtë pjesë, në katër komunat me shumicë serbe janë mbyllur një sërë institucionesh paralele, përfshirë zyra postare dhe tatimore.