[email protected]
Narrativi dezinformues ruso-serb për “sulm të planifikuar ndaj simboleve të ortodoksisë në Kosovë”
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

“Ulpiana Fest”,  festival që ofron program të ngjeshur të shfaqjeve, veshjeve, ushqimeve, lojërave dhe copëza të tjera përjetimesh dhe performancash me temë nga antikiteti, u mbajt për dy ditë (31 gusht – 1 shtator) në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, pranë Prishtinës. (këtu)

Ky festival arkeologjik ka ngjallur polemika të konsiderueshme për shkak të shfaqjes hapëse e që përfshin djegien e tre kryqeve të mëdhenj.

Çka u pretendua për shfaqjen ku digjen tre kryqe?

Dioqeza Rashkë-Prizren e ka dënuar ashpër aktin si ofendim i rëndë për të krishterët dhe kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj besimit të krishterë. Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e përshkroi djegien e kryqeve si një “shfaqje neopagane” dhe një “akt të çnderuar” që ngjall kujtime të persekutimeve të kaluara dhe shkatërrimit të vendeve të shenjta ortodokse serbe. Ata theksuan se akti ishte një shpërfillje e hapur për trashëgiminë e lashtë të krishterë të Ulpianës, një vend i pasur me historinë e hershme të krishterë.

“Ky akt i pandershëm dhe i paprecedentë është një fyerje e thellë për të gjithë të krishterët, e veçanërisht për popullin tonë në komunën me shumicë serbe të Graçanicës, ku ndodhet ky lokacion arkeologjik. Djegia e kryqeve na kujton kohët e tmerrshme të persekutimit pagan të të krishterëve, por edhe shkatërrimin sistematik të faltoreve ortodokse serbe në Kosovë dhe Metohi në kohën tonë. Në një mori sulmesh vandalësh nga ekstremistët shqiptarë të Kosovës, dhjetëra kisha u shkatërruan dhe u dogjën, ku kryqe u dogjën dhe u shkatërruan. Në shumë varreza të krishtera janë thyer edhe kryqe. Djegia e kryqeve në afërsi të manastirit të Graçanicës paraqet fyerje të besimit të krishterë dhe kërcënim të drejtpërdrejtë.” (këtu)

Këtij narrativi iu bashkëngjit edhe Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Kiril, i cili e quajti blasfemi veprimin gjatë shfaqjes e që u dogjën kryqe të krishterë gjatë festivalit të mbajtur në rrënojat e qytetit antik të Ulpianës.

Ai, në një letër drejtuar Patriarkut Serb Porfiri, ka sqaruar se “akti i urryer” është kryer në Kosovë – “krahinë e shenjtë serbe, për dekristianizimin e së cilës kanë luftuar për një kohë të gjatë dhe me këmbëngulje armiqtë e Kryqit të Zotit dhe të Ortodoksisë së Shenjtë”. (këtu)

Çka u tha nga organizatorët e festivalit?

Zyrtarët dhe organizatorët e festivalit arsyetojnë shfaqjen e tyre duke argumentuar se djegia e kryqeve ishte një gjest simbolik artistik për të nderuar shenjtorët Flori dhe Laura, të persekutuar për besimet e tyre të krishtera.

“Këtë vit në kuadër të Ulpiana Fest-it i kushtuam një shfaqje teatrore kujtimit dhe nderimit të dy dëshmorëve të parë dardanë, shenjtorëve Flori dhe Laura. Këta martirë, siç tregojnë të dhënat historike, u persekutuan nga administrata romake për shkak të besimit të tyre të krishterë”. (këtu)

Sipas organizatorëve thënë mediave, veprat e artit që përshkruajnë shenjtorët Flori dhe Laura ndodhen në Manastirin e Graçanicës dhe Katedralen e Nënë Terezës në Prishtinë, duke shërbyer si simbole të rezistencës dhe triumfit të krishterimit. Për të nderuar këtë histori, regjisori i shfaqjes zgjodhi një akt simbolik, djegien e kryqit, për të treguar se besimi i krishterë u forcua pavarësisht persekutimit. Sipas organizatorëve, ky gjest nuk ka për qëllim të ofendojë, por të simbolizojë fitoren e përhershme të krishterimit, dhe ata theksojnë se shfaqja nuk ofendoi shqiptarët katolikë, duke ftuar gjithashtu serbët të ishin pjesëmarrës.

“Duam të theksojmë se kjo shfaqje është thjesht artistike, pa agjendë politike apo fetare. Ftojmë të gjithë, përfshirë komunitetin serb, të bashkohen me ne në këtë festë të historisë dhe kulturës. Pas shfaqjes, të ftuarit mund të shijojnë verë dhe raki të bërë së bashku. “Shumë shqiptarë katolikë morën pjesë dje në shfaqje dhe askush nuk u ndje i ofenduar, sepse qëllimi i shfaqjes është thjesht artistik”. (këtu)


Organizatorët e festivalit sqaruan se shfaqja ishte një akt artistik kushtuar shenjtorëve Florit dhe Laurës, duke theksuar se nuk synonte sulme ndaj besimit të krishterë, por trajtonte tema universale si sakrifica dhe besimi. Ndërsa akuzat për sulm të vetëdijshëm dhe të planifikuar ndaj simboleve të krishtera dhe ortodoksisë në Kosovë u refuzuan duke bërë të ditur se ngjarja nuk kishte prapavijë politike apo etnike.

Hibrid.info ka trajtuar narrativa të ngjashme lidhur me dëmtimin e kishave ortodokse në Kosovë, të cilat janë interpretuar në mënyrë të pabazuar nga mediat dhe zyrtarët serbë si përpjekje për shuarjen e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë apo për dëbimin e serbëve. (këtu, këtu, këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »