[email protected]
Ndërrimi i patentë shoferëve i shtohet narrativës dezinformuese serbe
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Në fillim të majit (2024),Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendimin që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës. Vendimi hyri në fuqi më 9 maj dhe ishte paraparë të përfundonte më 9 gusht.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pak para përfundimit të këtij afati, njoftoi se i njëjti është zgjatur deri më 23 gusht. Ky vendim u mor pasi ministri Sveçla vuri në dukje interesimin e lartë për aplikime.

Pas skadimit të këtij afati, në Kosovë nuk do të mund të vozitet më me lejet ilegale serbe që u janë dhënë qytetarëve të Kosovës. Të njëjtat do të trajtohen si të pavlefshme dhe shoferët me dokumente të tilla do të dënohen sikur të mos kishin patentë.

Lidhur me këtë në media në gjuhën serbe filluan të publikohen narrativat se Kurti po përgatit një plaçkë të re për serbët duke filluar nga 23 gushti, nëpërmjet së cilës do t’i gjobitë serbët nga 500 deri në 1500 euro. (këtu)

Pra, në mediat në gjuhën serbe, vendimi për konvertimin e patentave dhe gjobat e parapara në rast të kapjes së shoferëve me leje ilegale të ngasjes (pas datës 23 gusht) janë interpretuar në mënyrë dezinformuese se kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet këtyre gjobave, synon plaçkitjen e serbëve. Por që, e vërteta është se nga data 23 gusht, ato leje qarkullimi konsiderohen të pavlefshme në Kosovë dhe shoferët që ndalohen dhe i prezantojnë të njëjtat, do të gjobiten sikurse të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kapen pa patentë shoferi, sipas ligjit të trafikut.

Çka parasheh ligji?

Ligji i trafikut parasheh se personit që e drejton mjetin me veprim motorik pa e fituar të drejtën për drejtim të mjetit (pa patentë shoferi të vlefshme) ose pa patentë shoferi të kategorisë përkatëse, dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 500 deri në 1500 euro, e që vlen për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Afati dhe kushtet për konvertimin e patentë shoferëve

Afati për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë serbë është zgjatur deri më 23 gusht për shkak të interesimit të lartë, njoftoi ministri Sveçla në Facebook, duke paralajmëruar se pas kësaj date do të veprohet sipas legjislacionit, ndërsa deri tani (20 gusht) kanë aplikuar mbi 6 mijë qytetarë.

Kosova nuk i njeh dokumentet e lëshuara nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë. Policia e Kosovës për media ka thënë se pasi të kalojë afati për konvertimin e patentë shoferëve, të gjithë drejtuesit e automjeteve që kanë këto dokumente të lëshuara nga Serbia, do të konsiderohen se janë duke e drejtuar veturën pa patentë shoferi.

Policia ka deklaruar se, sipas vendimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, individëve do t’u shqiptohen gjoba nga 500 deri në 1.500 euro, me mundësi të konfiskimit të automjeteve.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka theksuar se Policia e Kosovës, përmes eprorëve të saj, MPB-së dhe qeverisë në Prishtinë, ka identifikuar disa probleme që njerëzit kanë hasur gjatë procesit të shkëmbimit të lejeve. Një prej tyre është se disa shoferë nuk posedojnë letërnjoftim kosovar. Për këto raste, Elshani shpreson se MPB-ja dhe qeveria do të gjejnë një zgjidhje, që mund të kërkojë një vendim qeveritar apo edhe një ndryshim ligjor, por sa do të zgjasë ky proces varet nga qeveria.

Ndërsa, lidhur me drejtimin e veturave me regjistrim serb për të cilat shoferi ka autorizim, Elshani thekson se të njëjtit nuk do të kenë probleme. Ai sqaron se patentë shoferët e diskutueshëm janë ata që janë lëshuar nga, siç thotë ai, “strukturat paralele”, ndërsa të tjerët që janë lëshuar në Serbi, nuk paraqesin problem.

“Nuk po flasim për patentë shoferë të Serbisë, por për ato të lëshuara nga struktura paralele, ilegale, një dokument të tillë e trajtojmë sikur nuk ekziston dhe për ne do të thotë që shoferi nuk ka patentë shoferi”.

Për të aplikuar për kalimin nga patentë shoferi ilegal serb në atë kosovar, qytetarët duhet të kenë patentë shofer të lëshuar nga Republika e Serbisë për ata që kanë kaluar testin e shoferit pas datës 10 qershor 1999 dhe deri më 9 maj të këtij viti. Aplikimi duhet të përfshijë një kopje të letërnjoftimit të Kosovës, patentë shoferin origjinal serb, vërtetimin mjekësor nga institucionet e Kosovës, dhe vërtetimin e pagesës së taksës, ndërsa procesi për marrjen e patentë shoferit të Kosovës zgjat 15 ditë, me kthimin e patentës serbe si dokument i pavlefshëm.

Procesit të pajisjes me patentë shoferë të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të veturave me targa ilegale serbe në targa RKS (Republika e Kosovës), targa të cilat lëshoheshin nga institucionet në Serbi ndërsa përmbanin akronime të qyteteve të Kosovës (si KM për Mitrovica e Kosovës).

Share With Others

Translate »