Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar sot (1 gusht) një artikull me titull “Humb jetën e reja dhe plagoset i dashuri i saj”.
Hibrid.info pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, ka vërtetuar se titulli nuk e bën të ditur se ku ka ndodhur ngjarja, prandaj si i tillë, konsiderohet si titull përgjithësues.
Lajmi sqarohet vetëm në përmbajtje ku shkruan se, “Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Skoci, një 27-vjeçare ka humbur jetën ndërsa i dashuri i saj ka mbetur i plagosur.”
Pasi që ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), titulli në fjalë, mund t’i dezinformojë lexuesit se lajmi ka të bëjë me ngjarje të ndodhur në vendin tonë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar nga mediumi britanik “Daily Mail” që kishte njoftuar për ngjarjen. (këtu)
Analiza:
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me humbjen e jetës së një të reje dhe plagosjen e të dashurit, por që në titull nuk sqarohet se ku ka ndodhur ngjarja.
Mediumi online “kosova-sot.info”, i cili është portal, që vepron në Kosovë duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendnodhjen e ngjarjes, nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.