Portali “Koha.net” me datë 13 maj ka publikuar në faqen zyrtare në Facebook, një artikull me titull “Një burrë vret të dashurën pasi ajo aborton”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja.
Lajmi qartësohet vetëm pasi të klikohet artikulli, në të titullin e së cilit më pas shpjegohet se ngjarja ka ndodhur në SHBA.
Duke e ditur se ky portal është i regjistruar në Kosovë (shih këtu), titulli në fjalë, mund t’i dezinformojë lexuesit se kjo ngjarje ka ndodhur në vendin tonë.
Vegëza e artikullit të publikuar në Facebook nga faqja e portalit “Koha.net”:
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Koha.net”:
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se ngjarja ka ndodhur në SHBA, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin e publikuar në mediumin britanik “TheGuardian.com”, i cili edhe është cituar në artikullin e publikuar në “Koha.net”. (shih këtu)
Analiza:
Portali informativ “Koha.net” ka publikuar një artikull në lidhje me një vrasje në SHBA, por që në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja.
Ky portal që vepron në Kosovë, duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se vrasja ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.