info@hibrid.info
Nga titulli dhe fotografia mund të keqkuptohet se deklarata erdhi nga ministri Faton Peci
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh në Facebook me mbishkrimin “Peci i lë të gjithë gojëhapur: Qeveria Kurti nuk e meriton një mandat të dytë”.

Fotografia që paraqet figurat e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës dhe ministrave në kabinetin e tij qeveritar, Hekuran Muratit, ministrin e Financave dhe Faton Pecit, ministrit të Bujqësisë, është publikuar sot (20 nëntor) nga faqja e mediumit “kosova-sot.info” në Facebook.

Për informata shtesë, kjo faqe në Facebook, imazhit i ka bashkangjitur edhe vegëzën e artikullit të publikuar në portalin e mediumit, “kosova-sot.info”.

Pas kontrollit të këtij artikulli, është kuptuar se bëhet fjalë për një deklarim publik nga Lulzim Peci, drejtori i Institutit KIPRED.

Çka nuk shkon më përmbajtjen?

Hibrid.info vlerëson se në formën si është publikuar kjo përmbajtje, audienca mund ta lexojë si një deklaratë të ardhur nga ministri, Faton Peci.


Hibrid.info ka gjetur se në kreun e artikullit të vegezës së bashkangjitur, bëhet e qartë nga kush ka ardhur deklarata, kur thuhet se “Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka komentuar punën e Qeverisë për 4 vite, transmeton gazeta ‘Kosova Sot Online’”.

Ajo çka mund të shihet në përmbajtje, është se fotografia e publikuar në Facebook dhe në artikullin e “kosova-sot.info”, nuk shfaq figurën e subjektin deklarues, në këtë rast Lulzim Pecin. 

Fakt tjetër, që shihet në fotografi, është se në mbishkrimin, është publikuar vetëm mbiemri i deklaruesit (Peci).

Bazuar në faktin se në qendër të fotografisë, është vendosur figura e ministrit, Faton Peci, (i cili ka mbiemrin e njëjtë me Lulzim Pecin), dhe nisur nga rëndësia që paraqet fotografia në tekstin gazetar, hibrid.info vlerëson se audienca mund ta lexojë dhe kuptojë përmbajtjen, si deklaratë të ardhur nga ministri Peci.


Analiza:

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk e meriton një mandat të dytë.

Por, fotografia e publikuar nga “kosova-sot”, me artikullin që raporton për këtë deklaratë, lë të nënkuptojë se kjo deklaratë ka ardhur nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »