info@hibrid.info
Nuk ka rritje të çmimit të bukës në të gjithë Kosovën
shape
shape
shape

Portalet informative në Kosovë dhe Shqipëri kanë publikuar dje (25 shtator) një artikull duke pretenduar se në Kosovë është shtrenjtuar çmimi i bukës.

Disa nga këto portale kanë pretenduar se çmimi për një bukë në Kosovë është rritur për 20 cent më shumë.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, ky pretendim nga këto portale është i pasaktë, pasi në përmbajtje të këtij artikulli qartësohet se shtrenjtimi i bukës në 0.60 cent ka ndodhur vetëm në qytetin e Fushë Kosovës e jo në të gjithë Kosovën, siç lë të kuptohet përmes titullit.

Portalet që kanë publikuar këtë artikull me titull të pasaktë janë “Kosovapost.net”, “Kosova-sot.info”, “Lajmishqip.net” dhe “GazetaTema.net”.


Titujt e përdorur nga këto portale:

Kosovapost.net: Shtrenjtohet buka në Kosovë: Nga sot, me 20 cent më shumë

Kosova-sot.info: Shtrenjtohet buka në Kosovë/Ja sa kushton tash e tutje një bukë

Lajmishqip.net: Shtrenjtohet buka në Kosovë: Nga sot, me +20 cent më shtrenjtë

GazetaTema.net: Shtrenjtohet buka në Kosovë: Nga sot, me 20 cent më shumë


Pjesë nga artikulli i publikuar nga këto portale:

Për një bukë, qytetarët dikur kanë paguar 40 cent. Por pas rritjes enorme të çmimeve edhe bukës iu rrit çmimi për 10 cent. E që nga kjo e shtunë, banorët e Fushë Kosovës do t’i paguajnë 60 cent për një bukë.

Shtrenjtimi i tillë e befasoi banoren e Fushë Kosovës që sapo pagoi 60 centë për një bukë.


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin autentik të publikuar nga televizioni “T7” në Kosovë, i cili ka raportuar se ngritja e çmimit të bukës në 60 cent ka ndodhur në Fushë Kosovë. (shih këtu)

Gjithashtu, edhe pretendimi se shtrenjtimi prej 20 centësh për një bukë nuk është adekuat, pasi aktualisht në shumicën e qyteteve të Kosovës çmimi për një bukë është 50 cent.


Për ta qartësuar edhe më shumë faktin se nuk ka ngritje të çmimit të bukës në të gjithë Kosovën, hibrid.info ka gjetur të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), që tregon se aktualisht çmimi për një bukë është 50 euro. (shih këtu)


Analiza:

Disa portale në Kosovë dhe Shqipëri kanë raportuar për rritjen e çmimit të bukës në 60 cent në qytetin e Fushë Kosovës.

Mirëpo, në titullin e këtij artikulli kanë pretenduar rrejshëm se shtrenjtimi i bukës ka ndodhur në të gjithë Kosovën.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »