Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një video-material në kopertinën e të cilit është vendosur mbishkrimi “Vjen vendimi, hapet Ura e Ibrit”.
Videoja është publikuar sot (28 gusht) në kanalin zyrtar të mediumit “NTV Televizion”, në Youtube.
A është hapur Ura e Ibrit?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, ky pretendim është i pasaktë. Nuk ka asnjë vendim zyrtar për hapjen e Urës së Ibrit.
Vegëza e video-materialit të publikuar në Youtube nga kanali NTV Televizion:
Kopertina e bashkangjitur në këtë video-material:
Pas verifikimit, është gjetur se video-materiali përmban disa kronika televizive me lajme dhe ngjarje që lidhen me Kosovën. Në asnjërën nga to nuk paraqitet ndonjë njoftim që tregon se është marrë vendimi për hapjen e Urës së Ibrit.
Hibrid.info ka kryer një hulumtim edhe përmes motorit të kërkimit “Google”, duke përdorur fjalët kyçe “hapet ura e ibrit”. Sipas rezultateve të këtij kërkimi, nuk është gjetur asnjë konfirmim se vendimi për hapjen e urës është marrë (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se është marrë vendimi për hapjen e Urës së Ibrit është i pasaktë.
Pas një verifikimi të detajuar, është zbuluar se videoja përmban kronika televizive të ndryshme që lidhen me Kosovën, por nuk përfshin asnjë njoftim zyrtar për hapjen e urës.
Për më tepër, një kërkim në Google me fjalët “hapet ura e Ibrit” nuk gjeti asnjë artikull që të konfirmonte një vendim të tillë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.